Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik, në një intervistë për RTK-në foli për pritjet që shtetit të Kosovës do t’i vijnë njohje të reja, pasi mbrëmë edhe një shtet afrikan pas Kenias, Sudani, e njohu Republikën tonë. Kjo duket edhe si proces i zhbllokuar pas një periudhe 5-vjeçare, kur Kosova nuk e kishte marrë njohjen nga asnjë shtet.
Presidentja Osmanni tha se është moment shumë i mirë që tani kemi edhe dy njohje të reja nga shtete jashtëzakonisht të rëndësishme jashtëzakonisht të fuqishme me impakt në kontinentin afrikan por edhe më tej, në mënyrë që të jepet një rienergjizim gjithë këtij procesi por nuk është që vetëm këto dy njohje janë zhvillim pozitiv në këtë proces .
“Vitet e fundit ka pasur pretendime nga ana e Serbisë për, diku rreth 25 shtete, për tërheqje të njohjes nga ana e tyre.
Ne kemi punuar pa ndalur këto katër vjet në mënyrë që secila prej këtyre shteteve, për të cilat pretendonte Serbia se e kanë çnjohur Kosovën në fakt rikonfirmojnë marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Kosovës dhe kjo është një e arritur e jashtëzakonshme, sepse është sikur, në fak, ta sjellësh njohjen përsëri dhe është edhe më komplekse në rrethana të caktuara, sepse ka situata të caktuara jashtëzakonisht fragjile në shumë prej këtyre shteteve”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, tha se njohjet e reja të pavarësisë, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, tashmë e konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, janë rezultat i punës së shumë njerëzve, shumë institucioneve.
“Shumë vite punë, por është rezultat edhe i një mbështetjeje tepër të madhe që kemi marrë dhe vazhdojmë ta marrim nga aleatët tanë.
Përgjatë viteve, meqë jam marrë më këtë proces që nga viti 2008, e kam parë, dhe secili, që është marrë me këtë proces seriozisht e di, që Kosova në vetvete e ka shumë vështirë që të arrijë njohje qoftë bilaterale, qoftë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, kjo shndërrohet në një proces të suksesshëm vetëm atëherë kur e kemi edhe përkrahjen e aleatëve tanë dhe, natyrisht, edhe njohja nga Kenia, që ishte njohja paraprake.
Është një njohje për të cilën kemi punuar shumë afër me aleatët tanë dhe edhe njohja nga Sudani është një njohje ku na kanë ndihmuar, na kanë mbështetur aleatët.
Edhe njohjet tjera që do të vijnë janë një rezultat i një bashkëdyzimi i punës së Republikës së Kosovës dhe partnerëve, të cilët besojnë në Kosovën, besojnë në shtetësinë tonë, në sovranitetin tonë dhe në konsolidimin tonë ndërkombëtar, pra bashkimi i forcave, në njërën anë në mes të gjithë atyre që kanë potencial të ndihmojnë në Kosovë, por edhe aleatëve të cilët kanë qenë si një shtyllë themelore e shtetësisë sonë që nga fillimi, gjithmonë sjellë frytet e veta edhe në çështjen e njohjeve”, tha Osmani.
(BalkanWeb)