Nomadët dixhitalë janë një forcë pozitive në Amerikën Latine. Është e padrejtë të fajësohen punëtorët në distancë për zbehjen e kulturës vendase dhe rritjen e qirave, shkruan The Economist
Në një kafene në Mexico City, Itandehui Ruíz rrotullon sytë e mërzitur. Patateve të skuqura Chilaquiles (patate të skuqura të zhytura në salcë), i mungon diçka: erëza. “I bëjmë kështu ngaqë të huajt zakonisht nuk i kanë qejf erëzat pikante”, shfajësohet një kamerier.
Disa vendas i akuzojnë të huajt jo vetëm për faktin se po u heqin shijen pikante ushqimeve meksikane, por edhe se po e bëjnë jetën të papërballueshme për ta. Mexico City ishte qyteti më i shtrenjtë i Amerikës Latine në vitet 2022 dhe 2023, sipas “Economist Intelligence Unit”.
Nomadët dixhitalë janë punonjës në distancë, të ardhur nga shtete të pasura, të cilët zhvendosen vazhdimisht në kërkim të klimave tropikale, përvojave të larmishme kulturore dhe jetesës më të lirë. Gjatë pandemisë, këta udhëtarë që punonin online, u dyndën jashtë vendit.
Destinacionet kryesore janë në Azi dhe Europë, por Amerika Latine po bëhet gjithnjë e më popullore. Mexico City ishte vendi i shtatë më i kërkuar në vitin 2023. Në vitin 2022, kishte 263 nomadë për çdo 100,000 banorë në qytetin Medellín në Kolumbi, më shumë se çdo qytet tjetër spanjishtfolës, sipas faqes së internetit Nomad List.
Autoritetet vendase janë të etura për punonjës të tillë. Ne duam të jemi “një lojtar global mes vendeve të kërkuara nga nomadët dixhitalë”, thotë José Alejandro González, sekretari i turizmit i qytetit kolumbian Medellín.
Mbi 20 shtete në Amerikë tashmë mundësojnë një vizë dixhitale miqësore për nomadët dixhitalë. Për këto leje qëndrimi të shkurtra, zakonisht kërkohet një pagë minimale dhe sigurim shëndetësor, dhe shpesh e përjashtojnë personin në fjalë nga pagesa e tatimit për një periudhë të caktuar.
Banorët nuk i duan
Por shumë banorë nuk janë aq të dhënë pas nomadëve dixhitalë. Ata i shohin këta të huaj si punëtorë të pasur që jetojnë si mbretër dhe rrisin çmimet në vendet ku shkojnë. Në Cuauhtémoc, një komunë e varfër në Meksikë, qiratë u rritën me rreth 35% midis qershorit 2022 dhe 2023.
Në një mur janë gdhendur fjalët: “Gringo kthehu në shtëpi”. Në qytetin Medellín, numri i qirave afatshkurtra në zonën e kodrës El Poblado, u rrit me 46% në dy vitet deri në fund të 2023, sipas firmës së të dhënave AirDNA.
Të ardhurit shtuan edhe më shumë trysninë ndaj një tregu banesash tashmë të mbingarkuar, thotë Luis Miguel Peláez nga shoqëria e pronave Acrecer.
Ka edhe ankesa kulturore. Skeptikët shpesh i lidhin të huajt me drogën dhe turizmin seksual. Ata ankohen se të huajt perëndimorë që vijnë të jetojnë si nomadë dixhitalë, po përhapin shijen e tyre homogjene për kafenetë me tavolina dhe karrige druri, të krijuara enkas si vende për të studiuar dhe për të punuar në kompjuter. Shumë prej tyre flasin vetëm anglisht, gjë që mund të bezdisë vendasit.
Sidoqoftë, kjo armiqësi ndaj nomadëve dixhitalë, është e gabuar. Rritja e qirasë ndodh kryesisht për shkak të faktorëve të tjerë. Qyteti Medellín ka nevojë për rreth 14,500 shtëpi të reja këtë vit, por do të ndërtojë vetëm 2,000, sipas organit tregtar Camacol Antioquia.
Nuk ka ndonjë lidhje të qartë midis qirave afatshkurtra dhe krizës së tregut të banesave, thotë Eugene Towle nga firma kërkimore meksikane Softec. Airbnb zë vetëm 3% të banesave me qira të kryeqytetit. Lejet e reja të ndërtimit në Mexico City, ranë me dy të tretat midis viteve 2018 dhe 2022.
Përfitimet
Në përgjithësi, ashtu si emigrantët e tjerë, nomadët dixhitalë sjellin më shumë përfitime sesa dobësi. Punonjës të tillë harxhojnë një pjesë të të ardhurave të tyre duke i shpenzuar në këto vende dhe duke kontribuar kështu në ekonominë lokale.
Në Medellín, nomadët dixhitalë shpenzojnë mesatarisht rreth 1,400 dollarë në muaj, krahasuar me 575 dollarë për një vendas. Josh, nga Skocia, thotë se shpenzon në muaj 1500 dollarë për qira dhe 800 dollarë për një kuzhinier, udhëzues boksi dhe mësues të kërcimit salsa.
Bizneset vendase po përfitojnë gjithashtu. Fitimet janë rritur, thotë Pedro Echavarría nga Pergamino, një zinxhir kafenesh në qytetin Medellín. Ai drejton këtë zinxhir kafenesh dhe i përshtati hapësirat për klientët që punojnë në kompjuter dhe i ka reklamuar kafenetë në Instagram.
Në Mexico City, Iván Sánchez, pronari i dyqanit të takove Taquería Orinoco, në lagjen Roma Norte, thotë se nuk është nevoja as të paguajë për reklamim, sepse këtë punë ia bëjnë nomadët dixhitalë që mbajnë radhë për të blerë tako në dyqan.
Qeveria lokale e qytetit Mexico City mendon se punëtorët në distancë kontribuuan me 9.3 miliardë pesos (532 milionë dollarë) në ekonomi në vitin 2021, sa 15% e të ardhurave turistike të atij viti.
Emigrantët me aftësi të larta, siç janë shumica e nomadëve dixhitalë, nxisin edhe risinë. Idetë e të ardhurve ndihmojnë në zhvillimin e produkteve të reja dhe reklamimin e qyteteve në tregjet globale.
Në qytetin Medellín, britaniku Joel Elster, trajnon vendasit në biznesin e shitjes. Njëri prej tyre tani fiton 5000 dollarë në muaj, thotë ai. Edhe akuzat ndaj nomadëve për degradimin kulturor apo krimin, janë të pabaza.
“Ata nuk vijnë për të shkatërruar qytetin sepse jetojnë këtu”, thotë zoti González. Pasi rajoni Antioquia vuajti për dekada të tëra nga izolimi dhe luftërat e drogës, punëtorët në distancë tani po e ndihmojnë atë të lulëzojë.
Zyrtarë si zoti González po përpiqen t’i orientojnë vendasit si të përfitojnë nga ardhja e nomadëve dixhitalë dhe si të merren me pasojat negative që sjellin ata. Qyteti Medellín po lidh bizneset e vendit me nomadët dixhitalë.
Autoritetet kanë gjobitur njerëzit që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga dhënia me qira e banesave të tyre. Zhvilluesit e ndërtimeve po ndërtojnë hapësira të hijshme “bashkëjetese” (blloqe apartamentesh me hapësira të përbashkëta pune), jashtë zonave të banimit.
Mexico City, i cili ishte i mbushur me talente globale shumë kohë përpara se të shfaqej turma e punonjësve me laptop, tashmë po ndjek një qasje laissez-faire.
Të huajt e gjallëruan kryeqytetin e Meksikës gjatë shekullit XX. Nomadët dixhitalë mund të bëjnë të njëjtën gjë për qytetet e tjera në shekullin XXI, edhe nëse kjo nënkupton përhapjen e ushqimeve më pak pikante./Monitor