ITALI- Pas një serë verifikimesh, i është dhënë OK hyrjes së anijes në Brindisi nga komandanti i portit. Prokurori i çështjes deklaron se të humburit janë 10 deri në 15 persona.

Trageti Norman Atlantic, tashmë i sekuestruar, i rimorkiuar nga “Marietta Barretta” dhe shoqëruar nga dy rimorkiatorë të tjerë, ka hyrë në portin e jashtëm të Brindisit. Hetuesit kanë gjetur më pas kutinë e zezë, provën e parë për të arritur në zbulimin e shkakut të zjarrit dhe dinamikën e ngjarjeve.

“Kutia e zezë,- shpjegoi zëvendës prokurori i Barit, Ettore Cardinali,- do të analizohet në Bari me një vlerësim të veçantë teknik në ditët e ardhshme. Tani ne kemi bërë një kqyrje paraprake për të kontrolluar të gjitha mundësitë e hyrjeve në anije, si nga ana e sipërme ashtu edhe nga brenda. Ndërkohë gjyqtari nuk përjashton praninë e trupave të viktimave në anije: “Në këtë moment në pjesën e brendshme të Norman Atlantic, nuk është e mundur, për arsye sigurie, të hyjnë dhe të verifikojnë praninë e mundshme të trupave të tjerë, që nuk e përjashtoj se mund të ketë”.

Të zhdukurit janë 10-15. Ky është parashikimi më optimist mbi numrin e të zhdukurve që fillimisht u tha se ishin mbi 30. Konfirmimi vjen nga Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe, sipas të cilit numri nuk i kalon 10-15 persona. Ndërsa Gjykatësi i çështjes, nënvizon se “shifrat zyrtare mund të mësohen kur Greqia të vendosë të japë një listë të besueshme të imbarkimit, sepse Athina ka shumë shumë kohë”.

Prokuroria: Katër të dyshuar të tjerë. Prokuroria e Barit ka shtuar zyrtarisht në regjistrin e të dyshuarëve 4 njerëz të tjerë si pjesë e hetimit të mbytjes së anijes. Mes tyre janë përfaqësuesi ligjor i shoqërisë që ka dhënë me qira anijen, grekja Anek Lines dhe Pavlos Fantakis, punonjës i së njëjtës kompani.

Kjo është e njëjta agjenci transporti detar e përfshirë në një zjarr rreth një muaj më parë. Më 30 nëntor, në fakt, 25 milje nga Brindisi, një zjarr shpërtheu në dhomën e motorëve të anijes Ierapetra L. të Igumenicës. Fatmirësisht atëherë anëtarët e ekuipazhit arritën të shuanin zjarrin që ishte përhapur në bord.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe dy anëtarë të ekuipazhit të Norman Atlantic: Luigi Iovine, 45 vjeç nga Napoli dhe Francesco Romano, 56 vjeç, sicilian.

Ndërkohë autoritetet italiane kanë deklaruar së fundmi se në anijen Norman Atlantic ishin në total 485 pasagjerë. Lista me 485 persona u publikua sot, ndërsa emrat e pasagjerëve figurojnë disa herë në listë. Anija mori flakë të dielën ndërsa ndodhej pranë Korfuzit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb