TIRANE- Trageti që u përfshi nga flakët mëngjesin e ditës së djeshme, lundronte prej pesë vitesh. Por, gjatë këtyre viteve ndryshoi 3 herë emrin. Trageti është kompletuar në nëntor të vitit 2009 nga kantieri Navali Visentini të Porto Viro-s në provincën e Rovigos. Në vetëm 5 vjet, trageti e ka ndryshuar tri herë emrin. Në momentin e daljes së parë në det të hapur trageti ishte pagëzuar me emrin “Akeman Street”, më pas u ndryshua në “Scintu”, dhe në fund, gjatë janarit të vitit 2014 iu vendos emri i tij aktual, “Norman Atlantic”.

Në pronësi të “Visemar di Navigazione”, trageti është marrë me qira nga shoqëria “T-Link” dhe më pas nga “Gnv”, e së fundmi nga “Caronte and Tourist”. I gjatë 186 metra, trageti “Norman Atlantic” ka një tonazh bruto prej 26.904 tonësh, ndërsa tonazhi neto arrin në 7800 tonë dhe ka një kapacitet prej 492 pasagjerësh, si dhe mund të mbajë 195 autovetura në garazhin e tij. Anija luksoze përdorej si kroçere për të shëtitur vizitorët e saj, shumicën e rasteve në vendet evropiane. “Norman Atlantic”, me 478 persona në bord, 22 prej të cilëve shqiptarë, u nis mëngjesin e djeshëm nga Igumenica e Greqisë, me destinacion final Ankonën në Itali. Rreth orës 04:30, trageti ka dhënë alarmin SOS, pas flakëve që kishin përfshirë parkingun, ku gjendeshin rreth 200 makina.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb