Përgatiti: Igli Çelmeta
Qetësi! “Wembley” mitik ra nën diktatin e italianëve atëherë kur askush nuk e priste. Bardhezinjtë nuk “vdesin” kurrë, zbritën nga ferri në parajsë, kur Tottenham mendoi se fitoi. Jo, nuk mbaroi këtu…

Juventusi arriti të kualifikohej në çerekfinale të Champions League falë fitores 2-1 në Londër kundër Tottenham. Sfida e parë në Torino përfundoi 2-2 dhe kampionët e Italisë kaluan më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Një Juventus cinik arriti të bënte një përmbysje spektakolare. Kampionët e Italisë arritën të shënonin në dy goditjet e para në portën e Tottenham. Sakrificë dhe shpirt deri në minutën e fundit, Juventusi tregoi edhe një herë se është simboli i futbollit italian. Ky ekip nuk vdes kurrë dhe nuk njeh asnjëherë fjalën “dorëzohu”, madje arriti ta përmbyste ndeshjen, atëherë kur dukej e “përfunduar”, por për një starteg si Allegri, asgjë nuk është e pamundur…

Notat për Juventus:
Buffon 6.5 – Është ai “drejtori” i mbrojtjes bardhezi.  Disa ndërhyrje vendimtare ndaj Son, por në fund duhej të falënderojë shtyllën te goditja me kokë e Kane, ndoshta e meritonte një të puthur nga ana e Xhixhit.

Barzagli 6 – E vuajti shumë shpejtësinë e Son, nuk mund ta mbante në aspektin fizik, edhe pse taktikisht arriti ta mbyllte në disa raste. Në fund të ndeshjes kur duhej akoma më tepër eksperienca e tij, arriti të ishte i dobishëm në mes të mbrojtjes, kur nxori nga vija fatale topin që erdhi nga shtylla pas gjuajtjes me kokë nga Kane.

Benatia 6 – I ashpër në disa ndërhyrje, i qëndron pranë sulmuesve të Tottenhamit në çdo top që prekin, por më pas duhet të dorëzohet për në një problem fizik. Nga minuta 62 ‘Lichtsteiner 6.5 – Zëvendësimi i “artë” i Allegrit, ishte ai që  thyen Tottenhamin në krahun e djathtë, nga ku erdhi edhe goli i barazimit.

Chiellini 7 –Një “monstër” në mbrojte, është ai shpirti i Juventusit. Është një luftëtar i lindur, Giorgio bëri çfarë mundi vetëm të ndalte Harry Kane. Në fund ia arriti qëllimit, madje nuk iu nda për asnjë sekondë, ndoshta edhe tani që ka mbaruar ndeshja do të jetë akoma me të.

Alex Sandro 6 – Alli është shumë i shpejtë dhe i vështirë për t’u markuar dhe në fillim Sandro bën disa gabime, por rritet gradualisht në lojë duke ndihmuar ekipin edhe në fazën ofensive.

Khedira 5.5 –Nuk ishte nata e tij. Ishte e çuditshme ta shihje rrallë në mesfushë, dukej sikur ishte fshehur në ndonjë cep, por kur duhej përvoja e tij në fundin e ndeshjes, arriti të jepte më të mirën.

Pjanic 5.5 – Disi i pavëmendshëm në fazën defensive dhe jo gjithmonë i vendosur në vendin ku i takon në fushë. Nuk ishte i qetë dhe në disa raste bëri ndërhyrje të panevojshme, aq sa u ndëshkua me një karton të verdhë, madje rrezikoi edhe për më shumë.

Matuidi 6,5 – Një ndërhyrje vendimtare ndaj Kane. Dinamizmi i tij në shërbim të ekipit. Nga 60 ‘Asamoah 6 – Gjysmë ore lojë për të, por ishte një ndihmesë e madhe për ekipin, për të mbrojtur hapësirat.

Douglas Costa 7 – Më i miri në pjesën e parë për Juventusin, me shpejtësinë e tij bëhet i padukshëm për mbrojtësit e Tottenham, i frikshëm kur futej pranë zonës, ndoshta iu mohua edhe një penallti.

Higuain 7.5 –Njeriu që zgjidhi kualifikimin, ishte ai që i “vrau” ndeshjen Tottenhamit. Lëviz shumë në sulm edhe pse është vetëm. Shkon, ndjek topin dhe madje kundërshtarët. Në pjesën e dytë ishte njeriu që ktheu ndeshjen, goli i barazimit ishte pikënisja e kualifikimit. Nuk ndalet me kaq, një asist perfekt për Dybalën, i cili shënoi edhe golin e festës. ‘Sturaro– pa notë. Detyra e tij të qëndrojë afër Eriksen në ato pak minuta që luajti.

Dybala 7 – Djaloshi i artë i Juventusit. Djaloshi me fytyrë fëmije por me instinkt vrasës para portës. “U zgjua” në momentin e duhur. I ftohtë në rastin e golit, tipike për një lojtar të madh.

Notat për Tottenham:
Loris 6 – Nëntëdhjetë minuta si një spektator, por në vetëm tre minuta iu desh të shihte topin dy herë brenda portës së tij.

Trippier 6 – E nis mirë ndeshje por ishte fajtor në golat e e Higuain dhe Dybala.

Sanchez 6 – Ka cilësi, është i kujdesshëm në mbrojtje, pavarësisht nga rezultati, nuk u demoralizua dhe ishte i vetmi që po i jepte zemër ekipit.

Vertonghen 5 – Kosta i fiton çdo dyluftim, merr të verdhë për ndërhyrje ndaj Dybala.

Davies 5.5 – Si gjithmonë i saktë në pasime, luan në mes, sulmon nga krahu i tij, por, ashtu si të gjithë shokët e ekipit nuk është i përsosur në lëvizjet mbrojtëse.

Dier 5.5 – Duhet të bënte rolin e bunkerit përpara mbrojtjes, por nuk ia arriti të ishte aty në dy golat që pësuan. Në pjesën e dytë u ndje lodhja fizike në këmbët e tij.

Dembele 5 – Dobët. Shumë pasime të gabuara dhe pothuajse asnjë vertikalizim të rrezikshëm për sulmin.

Alli 6.5 – Ai ishte tabela e qitjes për mbrojtësit e Juventusit, pëson tre faulle të ashpra. Di ta mbrojë mirë topin, një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Juventusit por në asnjë rast nuk arriti të finalizonte.

Eriksen 6 – Kërkon të marrë frenat e mesfushës. Në fillim e nis mbarë, është  gjithmonë afër Kane, përpiqet që të japë pasimin e fundit për të. Nuk ishte ai Eriksen që arriti të heshte Torinon në ndeshjen e parë.

Son 7 – E bën “gropë” krahun e djathtë të mbrojtjes së Juventusit, në çdo inkursion nga e majta është i rrezikshëm. Ishte shumë pranë golit në disa raste dhe arriti ta gjente në momentin më të keq të Juventusit, e shfrytëzoi më së miri.

Kane 5.5 –Duhet të ishte ai “Kapo” i sulmit, cilësohej si arma më e rrezikshme për anglezët. Jo aspak, nuk ishte i tillë. “Magjistari” Chiellini arriti ta “hipnotizonte” duke e lënë nën hije. U kuptua qartë që nuk ishte nata e Kane, madje as fati nuk ishte me të, i cili ngeli i ‘stampuar’ në shtyllë.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb