Lapsat e lehtë që vallëzojnë mbi letër krijojnë siluetën e një burri. Një nudo e një kohe të hershme, e ruajtur sirtareve, risjell në vëmendje emrin e piktorit Guri Madhi. Vizatime çiftesh a portreti i bashkëshortes vijnë përkrah në një ekspozitë të çelur në galerinë e arteve të Tiranës.
“Shumë prej veprave janë të paekspozuara më parë. Si artist ai preku momente të rëndësishme të jetës së vendit që mbeten dëshmi e artit të angazhuar”, tha Tana Kalemaj, përgjegjëse në Galerinë e Arteve të Tiranës.
Gea Madhi, mbesa që nuk e njohu së gjalli por vetëm përmes punëve të tij, ritakon gjyshin artist të ridimensionuar në kohë lirie që vetë ai nuk e njohu. Kohët e shtypjes e nxitën të vizatojë e të fshehë, pikturojë e të fshehë, të mendojë e të heshtë. E megjithatë ai ishte mësues.
“Ne donim që kjo ekspozitë të çelej tani sepse Guri Madhi ka qenë edhe pedagog, ndër të parët në Akademinë e Arteve kur sapo erdhi nga studimet. Do të kemi disa ekspozita, kemi pasur dhe autorë të rinj, donim të kishim edhe Guri Madhin”, tha Abaz Hado, drejtor Galerisë së Arteve të Tiranës.
Koleksioni prej 53 punimesh që ekspozohet është ruajtur nga familja dhe rrok pothuaj 50 vite krijimtari. Portretet familjare morën jetë pothuajse në fund të jetës së tij.