TIRANE – Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ me gazetaren Nisida Tufa në News24, ish oficeri Emiljano Nuhu, flet sërish nga arratia pas deklaratave të SHÇBA-së, në lidhje me rastin e Xhisiela Malokut dhe se si i kanë vënë pistoletën në kokë njerëz me pushtet në mënyrë që të mos hetonte ngjarjen.
Nisida Tufa: Ju e mohoni faktin që çështjen në fjalë e keni marrë më datë 27 korrik. Sepse në datën 21 ka qenë një tjetër oficer policie, i cili është pezulluar.
Emiljano Nuhu: Në datën 27 është bërë urdhri i delegimit për vazhdimin e hetimit nga ana ime. Më është deleguar dosja nga Prokuroria, kurse data 21 unë kam kryer veprime jo të deleguara me urdhër, por të deleguara me anë të telefonit, janë kryer veprimet hetimore. Dhe unë nuk kam arritur ti kryej këto veprime hetimore për shkak të kërcënimit që kam denoncuar. Që u kërcënova në zyrën time nga personat që unë kam përmendur dhe i përmend përsëri. Dhe ky ishte shkaku që erdhi oficeri tjetër dhe vazhdoi veprimet hetimore të datës 21.
Nisida Tufa: Kur i keni kryer këto veprime, për të qenë më konkret. Kur i keni kryer veprimet?
Emiljano Nuhu: Të thash, në datën 21 veprimet e mia u ndërprenë për shkak të ndërhyrjes së deputetit Rrahman Rraja, Taulant Ballës dhe kryetarit të bashkisë që më kërcënuan brenda në zyrën time. Nuk arrita dot të bëja më veprime dhe në datën 21 veprimet i kaluan oficerit Gentian Citozi. Unë kam vazhduar hetimet pasi prokuroria mi delegoi me urdhër delegimi në datën 27, sepse asnjë oficer nuk i mori përsipër për ti kryer ato hetime. Unë pranova t’i merrja përsëri përsipër dhe në datën 30 u kërcënova përsëri, që kam bërë kallëzim në komisariatin nr. 6.
Nisida Tufa: Z.Nuhu në respekt të të gjithë atyre që janë të prirur për t’ju besuar për gjithçka që ju thoni, ju lutem a mund të jepni apo mund të shfaqni disa detaje rreth personave që kanë qenë në komisariat në datën që ju pretendoni. Flasim këtu për deputetin Balla, për z.Bushi dhe persona të tjerë që këni përmendur. Mund të ndani me mua, ndonjë detaj që ata vërtet kanë qenë në komisariat edhe pse provat i keni lënë për një hap të dytë për në gjykatë.
Emiljano Nuhu: Ata kanë qenë në komisariat dhe detaji që unë kam nga zyra ime janë fjalët e tyre që ata më kanë thënë me ironi, që janë shprehur nga deputeti Taulant Balla dhe Artur Bushi që: ‘hiqe pistoletën nga koka e oficerit se nuk i bën oficeri këto gabime’ dhe kam qenë nën trysninë e armës së zjarrit brenda zyrës time. Presioni psikologjik që kam pasur në ato momente, ishte shumë i madh dhe nuk më linte mua mundësi i vetëm në zyrë të kapja detaje të shumta përballë 4-5 personave që kisha përballë.
Nisida Tufa: Cdo detaj që ju mund të thonë përbën kuriozitet por edhe fakt për publikun që ndjek me shumë interes. A mbani mend si ishin veshur? Mbani mend ndonjë detaj tjetër, si u drejtuan kush hyri i pari.. Gjithcka që mund të na thoni ?
I pari mesa më kujtohet ka hyrë deputeti Rrahman Rraja, ka qenë i pari që ka hyrë në zyrë. Pastaj të tjerët me radhë. Dhe më agresiv nga të gjithë personat që kanë qenë brenda, ka qenë vëllai i deputetit Xhelal Rraja.
Nisida Tufa: Pse?
Ai ka qenë më agresiv, për shkak të veprimeve kriminale që ka kryer gjatë gjithë kohës dhe është person me precedentë të theksuar kriminalë i dënuar për disa vepra penale. Njihet në të gjithë në zonë ca përfaqëson. Njihet nga strukturat e policisë pavarësisht se nuk marrin guximin të shprehen. Ai person ka hyrë i armatosur në zyrën time me armë pa leje. Këtë e theksoj ka qenë i armatosur me armë pa leje. Një person me 3-4 vepra penale. Dua të theksoj se shtetasi Xhelal Rraja në 1997 – 1998 së bashku me vëllain e tij ka shkëmbyer zjarr me një punonjës policie të stacionit të policisë Fushë Krujë, dhe do të shpjegoj faktin tjetër që deputeti ka ngelur i plagosur në ato vite dhe prandaj qëndron gjithmonë me syze, dhe polici ka ngelur i plagosur. Këta cfarë përfaqësojnë përfaqësojnë njerëz intelektualë që janë brenda parlamentit të Shqipërisë. Janë njerëz me precedentë kriminalë.
Nisida Tufa: Po mirë, Z.Nuhu një person që hyn në komisariat i armatosur përbën rrezik apo jo? Pse nuk e bëtë të madhe që në ato momente? Pse reagoni shumë më pas? Pse nuk reaguat që aty? Pse nuk e kallëzuat?
Emiljano Nuhu: Direkt pas castit që unë u kërcënova sa gjeta mundësinë reagova duke kontaktuar me prokurorin e gatshëm dhe me drejtuesin tim të komisariatit. Në rrugë institucionale, këta persona për të zbatuar ligjin, drejtuesi im i komisariatit duhet të më kishte dërguar forca shtesë policie që unë të kisha mundësi këta persona të ndaloheshin në ambjentet e komisariatit dhe të fillonte procedimi penal ndaj tyre. Por drejtuesi im i komisariatit nuk e bëri këtë gjë. Më tha merre me qetësi, qetësohu se do flasim me të e zgjidhim në mënyrë jo ligjore. Dhe prokurorisë unë ia shpjegova të gjithë situatën dhe prokuroria më tha që shko në prokurorinë e Përgjithshme për të bërë kallëzim. Se prokuroria e Përgjithshme është kompetencë e saj për të marrë kallëzime nga persona me imunitet. Duke e menduar që nuk po më mbështeste asnjë nga strukturat e policisë dhe nga prokuroria, i ndodhur i vetëm përpara dy njerëzve të Parlamentit të Shqipërisë dhe një Kryetari të Bashkisë dhe grupet kriminale që ato mbështesin, cfarë mund të bëja unë i vetëm po të kisha kallëzuar këta që kallëzova nga BE ta kisha kallëzuar në Shqipëri. Unë nuk do isha, nuk do ekzistoja më sot. Do isha …
Nisida Tufa: Z.Nuhu unë vijoj të theksoj që z.Balla mohon kategorikisht që ka qenë në dt. 21 në komisariat. Madje thotë që nuk ka qenë fare, ka qenë diku tjetër, duke peshkuar. Ju cfarë keni për të thënë në lidhje me këtë. Duke i qëndruar fort detajeve, cfarë kujtoni nga z.Balla se ju ka thënë atë ditë sipas pretendimeve tuaja?
Dua të jap një shpjegim të vogël. Edhe mostra e Selenicës që vrau 8 persona në prani të të gjithë fshatit e mohoi si krim në hapat e para. Tha: Nuk i kam vrarë unë . Edhe Taulant Balla do ta mohojë këtë krim.
Nisida Tufa: Po ai ju ka kallëzuar apo jo, është i bindur në faktet dhe provat e tij që nuk ka qenë aty.
Po mirë ta vërtetojë që nuk ka qenë.
Nisida Tufa: Pas gjithë kësaj ju do ti ndryshonit diçka deklarimeve tuaja
Nuk i ndryshoj asnjë presje deklarimit, dhe vazhdoj ti qëndroj atij deklarimi deri në fund.
BalkanWeb