TIRANE

Analisti Andi Bushati teksa ka komentuar deklaratën e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi se ‘opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse’, pohoi se sheh një reflektim nga ana e opozitës.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Bushati tha se nuk beson se opozita me reagimin e saj do të shkojë drejt rrëzimit të qeverisë. Mes të tjerash tha se tingëlloi keq që opozita nuk u lejua të fliste sot në Kuvend.

“Nuk besoj se ndryshon gjë. Dhe nuk është ky rasti për të shpallur revolucionin. Po ta kapësh nga pikëpamja normale, një opozitë që nuk lejohet të flasin në një seancë si kjo ku është ndërruar më shumë se gjysma e qeverisë. Sot kemi qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 2017-ës të rrëzuar. Kanë ngelur vetëm 3 nga ministrat. Dhe t’i thuhej opozitës se ‘nuk ketë drejtë fjale’ tingëllon keq. Nuk është se ka bërë shkelje të madhe Ruçi. Në një pikë kur Edi Rama dhe Rilindja kanë bërë shkelje flagrante të debatit midis palëve, sot mund të dëgjonin një diskurs. Sot nuk ishte rasti që shërben si shkrepëse që do t’i vërë flakën vendit. Këto paralajmërimi të opozitarëve se ‘ky është akti final’ janë bërë qesharake. Mua te Kryemadhi më tërhoqi vëmendje fjala ‘opozita s’do jetë më zjarrfikëse’. Ka një reflektim nga opozita dhe ajo u pa tek Kryemadhi. Që shpesh herë qytetarët, studentët, ata të Unazës, e kanë tejkaluar kundërshtimin”, tha Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb