TIRANË

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” duke skanuar zhvillimet e fundit politike në vend, tregoi detaje në takimin e sotëm të opozitës me presidentin e Republikës, Ilir Meta. Ai u ndal edhe tek videoja që ka paralajmëruar presidenca për kreun e KED-së, Ardian Dvoranin, të cilin Meta e konsideroi si “ushtar” të Partisë Socialiste që sipas tij po përpiqej të kryente një akt mafioz ndaj Kushtetutës. Sipas tij, në takim e opozitës me Metën nuk është folur për këtë material filmik.

“Nuk është folur për video. Mund të jetë fol në mënyrë informale. Nuk jemi marrë fare me këtë punë, mua personalisht kjo e videos nuk më ka pëlqyer. Videot janë një mënyrë për të treguar se ku ka degraduar sistemi politik dhe administrativ në vend. Ato janë një elementë për t’ua deleguar atyre që janë kompetentë”-tha ai.

Më tej, Dashamir Shehi tha se opozita kërkon largimin e qeverisë përmes zgjedhjeve, duke shtuar se fronti opozitar nuk synon të ndërmarrë “pushkët” për të bërë revolucion.

“Shqipërisë i është bërë kaq emergjente situata, që duhet të hyjë sa më parë në zgjedhje. Ndryshe këtu do të vdesë pak nga pak, ajo pak demokraci që ka tepruar. Ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje që nesër. Nëse zgjedhjet janë në 2021, unë si Dashmir Shehi nuk votoj  asnjë ligj të reformës.  Qeveria do të largohet përmes zgjedhjeve. Ne po i kërkojmë zyrtarisht. Po na thonë çfarë doni? Ne  po iu themi duam zgjedhje të parakohshme. Këtu jemi drejt emergjencës. Ne ndërmend të marrim pushkët dhe të bëjmë revolucion nuk e kemi, por për protestat paqësore e kemi.

Populli po na parakalon në pritshmërinë tonë. Ju e patë që në stadium që kishin ardhur për të parë ‘Gjelat’, u kujtuan për të thënë “Rama ik. Kaq shumë iu ka ardhur në majë të hundës qytetarëve, sa nuk pyesin për maxhorancën dhe për opozitën. Varfëria ka qenë këtu, por Rama ka sjellë padrejtësinë. Basha thotë 5 oligarkë, unë them janë 15. Nuk mund ta grabisësh të gjithë Shqiptarinë dhe të bësh  100 mijë akrobacira për të pasuruar 15 vetë, bashkë me veten (Rama) në krye të kësaj piramide”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: