Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit elektoral në Kuvendin Kombëtar të PD në Pallatin e Kongreseve, ka shpalosur një vizion ekonomik që vendos në qendër uljen e taksave, lirinë e biznesit, dhe mbështetjen për fermerët, duke lëshuar një sërë akuzash të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha u zotua se qeveria e ardhshme e PD-së do të përgjysmojë barrën e taksave mbi qytetarët dhe biznesin:

“Ne kemi besim tek iniciativa e lirë e qytetarëve. Do përgjysmojmë barrën e rëndë të taksave dhe më shumë se kaq. Nuk do të ketë më gjah shtrigash ndaj biznesit.”

Ai solli si shembull një rrëfim nga tregu, ku qytetarët përballen me taksa absurde dhe kushte të papranueshme për të bërë biznes. “Energjia me 18 lekë? Do e keni 6 lekë. Ato nuk janë favore ndaj demokratëve. Janë vendime për çdo shqiptar”, tha Berisha.

Një nga momentet më të forta të fjalimit ishte denoncimi që i bëri veprimeve të Edi Ramës kundër kandidates së PD, Fatmira Kola, një pedagoge dhe nënë e dy fëmijëve, të cilës, sipas Berishës, “i është mbyllur portali me 72 mijë abonentë dhe i janë dërguar furgonë policie”.

“I them këtij burreci dy metra të gjatë: po përpëlitesh kot, i ke javët e fundit. Do japësh hesap për çdo akt të tillë.”

Berisha garantoi se PD nuk do hakmerret kurrë ndaj bizneseve, pavarësisht bindjeve politike, duke shtuar se administrata që refuzon patronazhistët është pasuri kombëtare.

Një tjetër kolonë e rëndësishme e programit ishte bujqësia. Berisha akuzoi Ramën se përmes marrëveshjes së Ballkanit të Hapur ka shkatërruar konkurrencën e drejtë dhe ka lënë fermerët shqiptarë në mëshirë të fatit.

“Fermerët do marrin subvencione për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi. Do ketë mbrojtje sezonale për prodhimet shqiptare, kredi me interes të paguar nga shteti dhe kompensim për dëmet nga fatkeqësitë.”

Sipas tij, Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet pa një ekonomi të lirë dhe një fermë prodhuese të fuqishme.

“Kjo është Shqipëria që do ndërtojmë – me ekonomi që prodhon, me qytetarë që punojnë, dhe një shtet që ndihmon, jo që ndëshkon,” përfundoi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb