Vrasja e shqiptares Ilaria Sula, 22 vjeçe, studente e Fakultetit të Statistikave në Universitetin La Sapienza të Romës ka tronditur Italinë. I dashuri i saj, Mark Samson e vrau barbarisht dhe trupin e paketoi në një valixhe, të cilën e hodhi në një zonë të braktisur.

I dyshimtë vazhdon të mbetet roli i familjes së autorit filipinas. Nëna e tij ka pohuar se nuk e shihte me sy të mirë Ilarian dhe as nuk donte që ajo të shkonte shpesh te banesa e tyre. Një qëndrim që, ndoshta, nuk ishte vetëm pasojë e një mentaliteti kulturor të Nors Mazlapan, nënës së Mark Samsonit, por fshihte diçka më të thellë. Një lloj armiqësie ndaj Ilarias, vajzës që për afro një vit frekuentonte apartamentin e vogël të familjes filipinase në rrugën Homs, shkruan Corriere Della Sera.

“Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë – djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”, i ka rrëfyer ajo hetuesve.

Këto janë fjalët e nënës së të riut që ndodhet aktualisht në burg për vrasjen e studentes shqiptare, trupi i së cilës u hodh në një humnerë në zonat e thella të Capranica Prenestinas, pasi u ther për vdekje nga ish i dashuri, pikërisht në banesën e familjes Samson në lagjen “Africano” të Romës.

Me kalimin e ditëve, pozicioni i nënës së Markut, një i ri i diplomuar në Arkitekturë, i cili ka pranuar fajin, por me shumë kontradikta, po bëhet gjithnjë e më qendror në hetime. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Rik Samson, rrezikojnë të hetohen për bashkëpunim në vrasje me paramendim dhe për fshehje kufome.

Tensioni po rritet edhe në lagje, në komunitetin e madh filipinas. Xhaxhai Emilio iku me skuter sapo pa gazetarët, madje edhe ata nga Filipinet që kanë nisur të interesohen për një çështje që shumë shpejt kaloi përtej kufijve të Rripit Rrethues të Romës (Grande Raccordo Anulare). Por, aty ku u vra Ilaria, ka vetëm një lule – një karafil rozë.

“Po flija. Nuk kuptova asgjë. Ditën tjetër dola nga shtëpia”, mësohet të ketë thënë gruaja, një shtëpiake me disa probleme shëndetësore, gjatë marrjes në pyetje nga policia kriminale, nën drejtimin e hetuesit Roberto Pititto.

Gruaja pritet të merret sërish në pyetje nga hetuesit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb