Zbardhet detaje nga dëshmia e efektivit të Policisë, Erion Goxhara, i cili u vetëdorëzua pasditen e djeshme, ndërsa ishte shpallur në kërkim për plagosjen e Lorenc Kostës, ngjarje e ndodhur 3 ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se në dëshminë e tij Goxhara ka pohuar para grupit hetimor se nuk ka dashur të vrasë Lorenc Kostën.

“Nuk kam dashur ta vras Lorenc Kostën dhe e kam parë rastësisht në zonën e “Komunës së Parisit” pasi kam qenë me vajzën time në një lokal në atë zonë.

Pasi kam larguar vajzën jam kthyer sërish te “Komuna e Parisit” dhe e kam qëlluar Kostën me armën e shërbimit të cilën e kisha me vete.

Deklaroj se nuk e kam bërë me paramendim plagosjen e Kostës”, mësohet të jetë shprehur para grupit hetimor, Goxhara.

Në vijim të dëshmisë, Goxharaj mësohet të ketë deklaruar se “Kosta më provokonte sa herë përballesha dhe më thonte “do të heq nga puna””.

“E qëllova te këmbët sepse nuk doja ta vrisja. Pas krimit u largova takova djalin, shkova drejt zonës së Freskut dhe kur pashë policinë u largova drejt Dajtit”, ka deklaruar Goxhara.

Ky i fundit dyshohet si autor i plagosjes së 45-vjeçarit Lorenc Kosta, ndërsa për pothuajse 72 orë qëndroi në arrati. Policia e Tiranës kishte vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione që do të çonin në arrestimin e efektivit të policisë së Kufirit. Dyshohet se ai shtiu disa herë ndaj Kostas me armën e shërbimit, por në momentin që kreu atentatin ndaj tij, nuk ishte në shërbim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb