Real Madrid nuk vdes kurrë, aq më tepër në “Bernabeu”. Ekipi i Ancelotti-t siguroi një biletë për në finalen e Kupës së Mbretit vetëm pas kohës shtesë. Këtë herë Rudiger nuk realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, por me kokë në minutën e 115-të mbylli llogaritë me Sociedad duke i dhuruar Realit një biletë për në finale. Mbrojtësi gjerman mori dhe vëmendjen kryesore të mediave spanjolle: “Engjëlli mbrojtës”, shkruan AS në faqen e parë.
“Të çmendur”, ishte titulli i Marca. Vetë gjerman, në një reagim për faqen zyrtare të Realit, shtoi se tani objektivi është të fitojnë këtë trofe: “Ky sezon ka qenë shumë i vështirë. Jemi sërish në finale dhe dëshirojmë ta fitojmë. Ishte një ndeshje e vështirë, me përmbysje, por jam shumë i lumtur. Ne jemi Real Madrid dhe duhet t’i shkojmë deri në fund”, u shpreh Rudiger. Ky nuk ishte Reali më i mirë, të pësosh 3 gola nga Sociedad nuk është një detaj që ngroh Ancelottit, por për të rendësi ka fakti që ekipi i tij u kualifikua për në finale: “Nuk kam shumë kohë për të menduar për atë që ndodhi në këtë takim, qëllimi ishte të kualifikoheshim për në finale dhe ja arritëm. Ishte një lojë argëtuese me disa gabime, por e rëndësishme është që jemi në finale. Unë kurrë nuk e pashë veten jashtë këtij takimi, të mos harrojmë në Bernabeu mund të ndodhë çdo gjë, ne nuk dorëzohemi kurrë”, u shpreh Ancelotti.