TIRANE

Kryesia e PD-së ka vendosur shkarkimin nga funksionet dhe anëtarësia të deputetit Myslim Murrizi, i cili nuk pranoi t’i bashkohet vendimit të Grupit për të dorëzuar mandatin.

20:17- “BalkanWeb” zbardh 3 pikat kryesore të Kryesisë së PD nga mbledhja sot. Gazetari Klajdi Bodle raporton për ‘BalkanWeb’ se Kryesia ka vendosur si pikë të tretë propozimin për shkarkimin nga funksionet dhe anëtarësia të deputetit Myslim Murrizi, i cili nuk pranoi t’i bashkohet vendimit të Grupit për të dorëzuar mandatin.

Basha nga Kryesia tha se pika e parë e rendit të ditës është aksioni politik pas dorëzimit të mandateve.

“Të bëhet ndërthurja e protestës me shpalosjen e alternativës. Grupi i punës që do të ngrihet për arsimin e lartë, do të jetë për çdo fushë kryesore, për pensionet, për shëndetësinë, për investimet, etj. Të nisim punën, sepse mund të jemi me zgjedhjet mbrapa dere. Nuk kemi pse të harxhojmë asnjë minutë.”-u shpreh Basha.

Pika e dytë është ngritja e shtabeve të punës dhe pika e tretë është propozimi për shkarkimin nga funksionet dhe anëtarësia e Myslym Murrizit për shkeljen e vendimit të Grupit Parlamentar, kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD. Aktualisht, po diskutohet për pikën e parë.

12:40-Një ditë pas protestës së opozitës para Parlamentit dhe dorëzimit të mandateve zyrtarisht, kreu i PD Lulzim Basha është nisur mbremë drejt Vjenës, ku ka zhvilluar disa takime me zyrtarë atje.

Qëndrimi në Vjenë ka zgjatur vetëm disa orë, pasi mësohet se kryedemokrati do kthehet sot në Tiranë dhe do mbledhë Kryesinë e PD.  Pas takimeve me drejtuesit e disa institucioneve ndërkombëtare, me disa senatorë dhe anëtarë të Kongresit amerikan, me përfaqësues të grupit të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Lulzim Basha ka marrë rrugën e kthimit për në Tiranë.

Burime zyrtare bëjnë me dije për “BalkanWeb” se sot në orën 18:00 kreu i opozitës ka thirrur mbledhjen e kryesisë së PD. Gjatë mbledhjes së Kryesisë pritet të diskutohen hapat që do të ndërmarrë forca më e madhe e opozitës për vazhdimin e protestës.

Dje, pas protestës para parlamentit, deputetët e opozitës dorëzuan zyrtarisht dorëheqjen nga mandati, me qëllim krijimin e një krize institucionale që do të detyrojë kryeministrin Rama të japë dorëheqjen dhe pranimin e krijimit të një qeverie tranzitore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb