Të ndalësh Liverpool këtë sezon duket shumë e vështirë, e provoi edhe Man.City, por dhe “qytetarët” dolën të mposhtur nga “Anfeild”. Të kuqtë vijojnë “arratisjen” në ishull, ku pas 13 javësh e shohin veten +9 pikë në raport me ndjekësit. Shijon këtë fitore dhe ecurinë e ekipit, Arne Slot:

“A ishte kjo ndeshje perfekte? Po, besoj se ishte perfekte, këtë e tregon ritmi dhe rastet e shumta që krijuam”, u shpreh Slot.

Për të zbehur disi këtë mbrëmje të madhe mendoi Mohamed Salah, me sulmuesin egjiptian që njoftoi se kjo ishte ndeshja e tij e fundit kundër Man.City: “Po shijoj çdo minutë këtu, ndihem si në shtëpi. Është gjithnjë një ndjesi speciale të shënosh dhe të fitosh në Anfeild. E ardhmja? Sinqerisht në kokën time e di. Besoj se kjo ishte ndeshja ime e fundit me fanellën e Liverpool kundër Man.City, pra doja vetëm ta shijoja”, theksoi Salah.

I ndryshëm është diskutimi në radhët e Man.City, me Pep Guardiola që po kalon momentin e tij më të keq në krye të “qytetarëve”. Në konferencë për shtyp, tekniku spanjoll u pyet fillimisht edhe për ngacmimet e tifozëve të kuq:

“Në të gjithë stadiumet duan që të më pushojnë nga puna, mbase kanë të drejtë duke parë edhe rezultatet që kemi arritur këtë periudhë, por nuk e besoja që kjo të ndodhte në Anfeild, gjithsesi nuk ka problem, është pjesë e lojës. Kemi kaluar beteja të mëdha së bashku, kam respekt për ta. U mbyll këtu gara për titull? E kam thënë edhe përpara këtij takimi, nuk është momenti për të vendosur objektiva, por sezoni është ende i gjatë, ne do ta provojmë”.  

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb