Vllaznia do të tentojë të shtunën pasdite të rikthehet tek fitoret në kampionat, teksa përballë publikut të saj, shkodranët do të presin Skënderbeun e vendit të fundit.
Tekniku Brdariç, në konferencën për shtyp një ditë përpara kësaj sfide u ndal të fliste për gjendjen e ekipit të tij dhe fillimisht u ndal të shpjegojë se çfarë nuk shkoi në sfidën e fundit në atë barazimin ndaj Tiranës:
“Ndaj Tiranës vuajtëm të krijonim shumë raste, për shkak të se bardheblutë qëndruan pjesën më të madhe të kohës të mbledhur në gjysmëfushën e tyre. Na mungoi qarkullimi i shpejtë i topit gjë të cilën do duhet ta përmirësojmë patjetër në të ardhmen.
Më pas tekniku kroat u ndal të fliste për kundërshtarin e radhës, Skënderbeun. Pavarësisht gjendjes së vështirë të ekipt korçar, Vllaznia e tij nuk do të nënvlerësojë asnjë kundërshtar:
“Unë nuk e shoh aspak renditjen. Për mua nuk ka rëndësi nëse ekipi që kam përballë ndodhet në fund apo në pjesën tjetër të renditjes. Lojtarët e mi, duhet të japin gjithmonë 100% për të fituar. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe të shtunën, do të synojmë patjetër vetëm fitoren.
Ndeshja Vllaznia-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 30 të kategorisë superiore do të zhvillohet ditën e shtunë, ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.