TIRANË

Ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e LSI-së Klajda Gjosha ka dalë sot para mediave për të folur për çështjen e negociatave dhe debatet në vend.

Ajo theksoi nevojën e një pakti kombëtar për një Shqipëri europiane, ku në themel të saj të qëndrojë axhenda integruese.

Gjosha numëroi problemet në vend për të cilat siç tha ajo nuk mund të fajësojmë Holandën e Francën dhe as problemet e brendshme të Unionit.

“Që prej datës 18 tetor vendi ynë është përfshirë në një debat të brendshëm mbi arsyet e mos çeljes së negociatave. Debat i cili jo vetëm nuk e ndihmon Shqipërinë në perspektivën e saj europiane, por e rëndon edhe më tepër pozicionin tonë për një vendimmarrje të pritshme në mbledhjen radhës të Këshillit Europian, që parashikohet të ndodhë në muajin Maj të 2020-ës.
Sado arsye të mundohemi të gjejmë për situatën e brendshme të vetë BE-së, kërkesat e Francës për reformim të brendshëm apo balancën e pushteteve mes vendeve të BE-së dhe institucioneve të saj, askush nuk mund të thotë sot se Shqipëria ka shkëlqyer në detyrat e saj”, deklaroi Gjosha.

Ajo tha më tej se ne vlerësojmë shumë të gjithë mbështetësit e Shqipërisë në këtë proces, edhe ata që për hir të një vizioni gjeo-strategjik janë të gatshëm ta pranojnë Shqipërinë bashkë me defektet dhe problemet e saj.

“Por asnjë prej këtyre diskutimeve nuk zgjidh ngërçin institucional, kushtetues dhe politik që ka mbërthyer vendin. Asnjë diskutim nuk rikthen dot shpresën e qytetarëve që vazhdojnë të largohen në masë çdo ditë. Asnjë hedhje faji mbi Francën dhe Holandën nuk na bën ne më pak fajtor për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet vendi, që nga kuadri i mosfunksionimit të demokracisë e deri te rrënimi ekonomik që ka ardhur nga koncesionet e panumërta dhe PPP-të që rrisin çdo ditë borxhin publik”, u shpreh më tej ish-ministrja.

Sipas saj, reforma zgjedhore është një nga kërkesat e vendosura nga Bundestagu, por ajo përveçse zgjidh ngërçin në letër mbetet e paplotësuar deri në zhvillimin e zgjedhjeve me standarde dhe implementimin e saj në praktikë.

“As Franca dhe as Holanda nuk e ka fajin për mos ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, që është dhe kushti i dytë i Bundestagut gjerman. Është fëmijërore të fajësosh këto vende pse investuan miliona euro nga taksapaguesit e tyre për reformën në drejtësi kur mungesa e vullnetit politik të mazhorancës ka sjellë zvarritjen e këtyre institucioneve çdo ditë në vakancat e tyre duke shkelur kështu të drejtat e çdo qytetari shqiptar për të pasur drejtësi.
Nuk është faji Francës dhe as i Holandës që mazhoranca hodhi në erë 30 qershorin, duke e bërë Shqipërinë të dukej një vend qesharak që emëron kryebashkiakë dhe që nuk di të organizojë votime edhe atëherë kur është e vetme në zgjedhje! Dhe sërish ne do duhet të presim verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për të përmbushur edhe një kusht tjetër, atë të legjitimitetit apo jo të votimeve të 30 qershorit.
Nuk është faji i asnjë vendi anëtar që në Shqipëri nuk hetohet asnjë krim elektoral, asnjë akt korrupsioni apo krimi i organizuar”, theksoi Gjosha.

E për të, nuk është faji askujt që çështja e pronës është kthyer në makthin e çdo qytetari, çdo investitori të huaj.

“Nuk është faji i Francës dhe Holandës që vetëm në 3 mujorin e parë të 2019, azilkërkuesit shqiptarë u rritën me 26% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018. Dhe në vend të analizojmë shkaqet e këtij fenomeni, e kemi të thjeshtë të themi se fajin e ka vetë Franca që është vend më i zhvilluar dhe me atraktiv.
Nuk është faji asnjë vendi anëtar që Shqipëria ndodhet në një greminë financiare, pa asnjë strategji kombëtare për ekonominë, pa asnjë vizion për investime në sektorët kyçe të zhvillimit ekonomik. Procesi i integrimit europian përtej çdo reforme, është procesi i bashkëveprimit të tregjeve, i përballjes me konkurrencën dhe i ofrimit të mallrave apo produkteve atraktive. Ndërsa për ne ekonomia vazhdon të mbetet në nivele konsumuese dhe jo një mjet për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe me shumë vende pune!”, u shpreh më tej ajo.

Gjosha theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të sfidojë realitetin e saj, por për këtë duhet pasion, vullnet politik, mentalitet i ri.

“Duhet një pakt kombëtar për një Shqipëri europiane, ku në themel të saj të qëndrojë axhenda integruese. Maji i 2020 është shumë pranë dhe çdo minutë për ne është i artë për të kapur trenin e humbur të bisedimeve për anëtarësim. Por këtë nuk mund ta bëjmë kurrsesi duke toleruar ata që trumbetojnë mashtrimin e radhës se Shqipëria nuk i çeli dot negociatat sepse i plotësoi të gjitha kushtet! Me këtë mendësi, rrugëtimi ynë drejt Shqipërisë europiane do të mbetet vetëm një iluzion!”, deklaroi ish-ministrja e LSI.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb