Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë në New York këtë të shtunë, 26 tetor, teksa iu ka kërkuar votën për zgjedhjet e vitit 2025. Rama tha se me “krenari e ka dërguar Shqipërinë përpara”, por shtoi se “mbetet akoma punë për të bërë”.
Sipas Ramës, “Shqipëria nuk është ende fushë me lule, sepse ka ende ferra për t’u pastruar dhe jo pak plagë për të shëruar”. Kështu, kreu i qeverisë duket se po paralajmëron arrestime të tjera. Kryeministri premtoi në SHBA se Shqipëria më 2030 do të jetë pjesë e BE-së.
“Është një Shqipëri e rilindur këtë dekadë. Është kthyer e po kthehet në një emër krenarie, thua “I am from Albania”.
Nuk kam ardhur t’ju them se është fushë me lule sepse nuk kemi shumë ferra për të pastruar dhe jo pak plagë për shëruar, por kam ardhur për t’ju thënë se jam sa krenar për sa kemi bërë por edhe i vetëdijshëm se sa shumë mbetet për të bërë.
Kam ardhur për t’ju kërkuar të vijojmë këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030 duke bërë për vendin tonë për flamurin tonë atë që çdo shqiptar si ju në SHBA apo Europë ka bërë për veten e vet, duke u bërë pjesë e pandashme ku sot jeton e punon këtu në SHBA apo Europë”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
(BalkanWeb)