TIRANE- Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias se pas dy takimeve që zhvilloi me homologun e tij shqiptar nuk kishin diskutuar për çështjen çame, pasi ajo nuk ishte pjesë e axhendës, vjen reagimi i kryediplomatit shqiptar. Në një intervistë për ‘Studio e Hapur’ në “News24” Bushati tha se ministria e Jashtme greke shprehte opinionin e vet mbi çështjen në fjalë.

“Kur thonë që për ne nuk ekziston si çështje, kanë merak apo frikë të pajustifikuar për pretendime territoriale që nuk ekzistojnë për çështjen çame. Ne edhe në dokumente mes dy palëve e kemi konsideruar si çështje të të drejtave dhe lirive të njeriut.”, tha Bushati.

Po ashtu ai shtoi se: “Keni dhe një ministër përball dhe një komision, (komisioneri Hahn) dhe ai konfirmoi se palët kanë referuar një dokument që është se të dyja palët këtë çështje ia kanë bërë të ditur edhe KE. Edhe po të lexosh deklaratën e ministrisë së Jashtme greke më tepër shpreh mendimin e vet. Një gjë tjetër është që të njohësh një çështje. Edhe para 3 vjetësh për ligjin e luftës, duke nisur nga Venizelos që thoshte se s’ka ligj lufte. Këto ditë kam dëgjuar shumë llafollog që thonin ; E ça se po hiqet ligji i luftës’. Ne e kemi ngritur në drejtimet që unë thash. Do vijojë që të jetë një çështje për ne për sa kohë që nuk merr rrugën e zgjidhjes”.

Ditën e sotme Kotzias tha se çështja çame nuk ekziston dhe nuk është diskutuar gjatë takimit që ka pasur me Bushatin. “Nuk ekziston çështja çame dhe nuk ishte temë e diskutimit mes dy palëve. Bisedimet me ministrin Bushati u përqendruan në çështje të pazgjidhura në 70 vitet e fundit dhe kemi përparuar për gjetje të zgjidhjeve të qëndrueshme. Ka përmirësim në marrëdhëniet greko-shqiptare nga dialogu i vazhdueshëm”- ka thënë Kotzias, njofton gazeta greke ‘Kathimerini’. Kujtojmë se Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh, në Kretë në nëntor 2017 dhe në qytetin e Korçës javën e kaluar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: