Erjon Shehaj, kreu i Prokurorisë së Lezhës po të përballet ditën e sotme me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në kuadër të procesit të Vettingut.
Kreu i SPAK Altin Dumani po paraqet pretendimet e tij, ndërsa ka renditur shkeljet ligjore të Shehajt.
“Subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse për çështjet. Shkeljet e konstatuara janë kryesisht në kriterin profesional. Për një nga çështjet hetimore, Shehaj nuk ka kryer asnjë veprim hetimor.
Bëhet fjalë për një dosje të vitit 2014 për akuzat e kanosjes dhe goditjes për shkak të detyrës.
Kallëzues në këtë çështje ka qenë një punonjës policie, por Shehaj e ka regjistruar çështjen vetëm për akuzën e goditjes për shkak të detyrës, jo atë të kanosjes. Kjo edhe pse ka pasur të dhëna që kallëzuesi ishte ndjerë i kërcënuar për shkak të detyrës. Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore, duke mos sekuestruar kamerat e sigurisë”, është shprehur Dumani.
Kreu i SPAK është ndalur edhe tek dy çështje të tjera të hetuara nga Erjon Shehaj në të cilat janë konstatuar shkelje.
Dumani u shpreh se Shehaj nuk ka kryer hetime për një rast të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, duke favorizuar kështu pozitën e te akuzuarit.
(BalkanWeb)