SHIJAK
Një 36-vjeçare ka humbur jetën në Shijak, në rrethana ende të paqarta ndërsa policia ka proceduar penalisht dy mjekë me detyrë në Qendrën Shëndetësore të Shijakut.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit M.S., 49 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek i urgjencës pranë qendrës shëndetësore Shijak dhe O.S., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke e familjes pranë qendrës shëndetësore Shijak.
Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet se nuk i kanë dhënë mjekimin e duhur shtetases M.K., 36 vjeçe, banuese në Shijak, e cila pasi ishte paraqitur disa herë për mjekim në Qendrën Shëndetësore Shijak, ka shkuar në banesë e më pas më datë 19.08.2020, është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës ku dhe ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.