Drejtuar kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama

I nderuar Zotni Kryeministër,

Si një ish zyrtar publik, që kam shërbyer në administratë publike, për më shumë se 45 vjet, me profesion financier, tashmë në pension , ndodhem përballë kërkesës Tuaj për të ju besuar mandatin e katërt, ndërkohë që Ju keni drejtuar qeverinë shqiptare për tre mandate radhazi.

Me gjithë dilemat e mia, do ta votoj alternativën Tuaj për mandatin e katërt, jo se siç thoni Ju “nuk jemi më të mirët por më të mirë s’keni parë” por sipas parimit që fatkeqësisht më duhet të pranoj se “midis të këqijave duhet zgjedhur e keqja më e vogël”. Realisht ju jeni e keqja më e vogël e këtij vendi, në krahasim me pritshmëritë e shqiptarëve, alternativat e vjetra që tentojnë regresin dhe alternativat e reja që nuk po gjejnë mundësi të bëhen konkurruese, sa për shkak të sistemit elektoral dhe aq për lëndën e tyre të “thatë”…

Gjithsesi edhe pse kam vendosur që tani të votoj për Ju, dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj disa gjëra që unë i konsideroj të rëndësishme për qeverisjen Tuaj të ardhshme dhe për votuesit shqiptarë , duke ja kufizuar vetes të drejtën, t’i konsideroj këto jo si këshilla por si shprehje qeverisë që unë dua.
Këto si më poshtë janë vetëm disa aspekte që kërkojnë rregullim dhe nuk kërkojnë investime suplementare , përveçse angazhim dhe përkushtim. Shumë të tjera në nivel makro kanë nevojë për rregullime të mëtejshme por një herë tjetër mbase do shprehemi edhe për to..

Të përgjithshme
1. Lëreni Saliun në marrëzinë e tij dhe mos u merrni në çdo rast me të, duke na e vështirësuar edhe ndjekjen dhe shpalosjen e ideve Tuaja. Përkundër ato që thotë Saliu, vendosni dhe shpjegoni alternativën Tuaj, që ne të mund të besojmë realisht dhe të zgjedhim. Ndjehemi të lodhur nga gjuha e urrejtjes,fyerjes, shpifjes dhe përndjekjes që dominon tregun e politikës.
2. Mos ja lejoni vetes në mandatin e katërt të ju “hanë dardhat prapa krahëve”, duke u shfajësuar se nuk keni përgjegjësi. Sigurisht përgjegjësia penale është personale, e atyre që “hanë dardhat”, por ne Ju besuam që të na i ruani “dardhat tona” dhe kësisoj përpara nesh jeni përgjegjës jo vetëm për “dardhat” e munguara… Pranoje këtë përpara shqiptarëve dhe më beso mua, se do të i bëni shumë nder vetes.
3. “Mikut që ja provove besnikërinë e lidh fort në rrathë prej çeliku, por mos lodh dorën duke përkëdhelur çdo shok të ri çdo zog pa pendë” thoshte Shekspiri. Kësisoj përzgjedhja e stafit Tuaj apo e aleatëve, duhet të kalojë në shumë filtra që provojnë integritetin moral e profesional të subjekteve që ti përzgjedh dhe jo kushdo që të del përpara. Ti je bashkëpërgjegjës për suksesin dhe dështimet e tyre. Ato bartin autoritetin e qeverisë Tuaj që Ju, ja u keni deleguar por delegimi i autoritetit nuk presupozon edhe delegimin e përgjegjësisë. Integriteti moral dhe profesional është garancia kryesor për ti rezistuar joshjeve të pushtetit dhe privilegjeve që të krijon ai. Jam dëshmitar se shumë prej atyre që kanë “ngrënë dardhat” janë vënë në diskutim nga publiku që në momentet e para të emërimit tyre, përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve, lidhur me vlerat morale dhe profesionale, çka tregoi se përzgjedhja juaj në rastin më të mirë ka qenë e nxituar.
4. Unë i besoj dhe e vlerësoj vizionin tuaj lidhur me qeverisjen por druaj se ky vizion nuk përkthehet dhe as nuk mbështetet me plane veprimi të monitoruara nga qeveria për zbatimin e tyre, duke rrezikuar që një pjesë e tyre të mbeten slogane. Kam qenë në kontakt shumë më herët me vizionin Tuaj për qeverisje, që kur ju kandiduat për kryetar të Bashkisë Tiranës dhe prej asaj kohe nuk jam lëkundur në bindjet e mia por kjo nuk mjafton, pasi as unë dhe askush nuk duhet të jetë skllav i bindjeve të shkuara. Ajo që unë dua, është se duhet të përpiqeni të unifikoni propagandën me veprimin konkret në zbatim. Sigurohuni nëpërmjet strukturave Tuaja se idetë janë kthyer në plane veprimi dhe ato po zbatohen.
Në fushën e drejtësisë
1. Bëj që reforma në drejtësi të jetë tërësisht e besueshme dhe funksionale. Shqiptarët të etur për drejtësi të vërtetë, nga mënyra se si ajo po zbatohet, kanë më shumë shpresë se sa e besojnë këtë reformë. Kësisoj ata kanë shpresuar që në fillim në idenë Tuaj, që për hir të së vërtetës, ashtu siç shpesh nuk hezitoni ta artikuloni, disa herë edhe me tepri, përse jo edhe me të drejtë, është shpalosur që në vitin 2013 nga Partia Socialiste, sido që projeksioni i atëhershëm ka shumë ndryshime me reformën që u ndërmor por kjo nuk ja u cënon autorësinë. E rëndësishme dhe vizionare është se, ju e kuptuat nevojën dhe domosdoshmërinë e këtij ndryshimi për ta shndërruar drejtësinë nga një korporatë biznesi në një drejtësi në shërbim të qytetarëve.
2. Në gjykimin tim aktualisht, kjo reformë lëkundet midis suksesit dhe dështimit dhe në se nuk merren masat e duhura rrezikon shumë të anojë nga dështimi.
3. Shpesh herë ju e identifikoni reformën në drejtësi me SPAK-un apo me spastrimet e individëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë apo në administratë publike. Por nuk është vetëm kjo pritshmëria që kanë shqiptarët për këtë reformë. Kjo është vetëm një komponent dhe shumë i rëndësishëm madje por reforma në drejtësi është projektuar që të rikthejë sistemin e drejtësisë në standardet e njohura të saj, që kjo drejtësi të ishte e prekshme për interesat e qytetarëve dhe kjo deri tani duket si një gjë ende e largët.
4. Projektuesit e reformës, vendas dhe të huaj gabuan rëndë dhe kur nuk parashikuan instrumentet që do të minimizonin efektin e vetingut, i cili nxori jashtë sistemit një numër të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh. Sistemi ka hyrë në kolaps dhe stoku i dosjeve që ndodhen në të gjitha nivelet e gjyqësorit është rreth 140 mijë çështje të pagjykuara që presin radhën. Me këtë ritëm do të duhen dekada që një individ të fitojë drejtësinë. Por mos harro se “një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar” . Në këtë rast nuk vlen ajo shprehja e popullit “Më mirë djepi thatë se dreqi mbrendë”.
5. Disa zgjidhje të thjeshta do ta reduktonin kolapsin e krijuar si;
5.1. Aktivizimi i magjistratëve pensionistë me kohë të pjesshme.
5.2. Një riklasifikim i çështjeve sipas rëndësisë duke parashikuar zgjidhje paragjyqësore
5.3. Reduktimin e ankimit në gjykatën e lartë për një kategori çështjesh si marrëdhëniet e punës etj.
6. Duke bërë llogaritë si një kontabilist, kam pasur rastin t’ja vë në dukje organeve përkatëse, në vitin 2019 se me këtë ritëm të largimit të magjistratëve nga vetingut dhe pranimet e reja në shkollën e magjistraturës ( 25 për çdo profil) sistemi do të futej në kolaps.
7. Harta e re gjyqësore, bazuar mbi kriterin e kostos dhe ndërtuar mbi një logjikë biznesi, që Ulsiu e ka prezantuar si sukses , është tërësisht një dështim i këtij sistemi. E kam kundërshtuar që në hapat e parë këtë ide https://javanews.al/harta-e-re-gjyqesore-dhe-drejtesia-e-mohuar/ Kjo hartë cënon drejtpërdrejt dhënien e drejtësisë ashtu si edhe tarifat gjyqësore që aplikohen pa asnjë lloj kuptimi dhe që financojnë për së dyti sistemin ( një herë nga buxheti dhe një herë nga tarifat) e cënojnë po ashtu edhe dhënien e drejtësisë.
8. Ka disa fusha në sektorin publik përfshirë edhe sistemin e drejtësisë ku prevalojnë interesat publike pavarësisht kostove. Mazhoranca duhet të rikthejë pa vonesë me çdo mjet dhe çmim, gjykatat dhe prokuroritë nëpër rrethe si hap i parë, sepse njerëzit po rraskapiten pas seancave gjyqësore,ku një herë mungon gjyqtari,një herë avokati,një herë pala tjetër etj. dhe kështu pa fund deri sa të zhgënjyer qytetarët edhe i braktisin gjykatat pa fituar të drejtat duke humbur edhe besimin te drejtësia.
9. Gjykata administrative gjithashtu është në kolaps për shkak se numri i gjyqtarëve nuk e përballon shqyrtimin e çështjeve. Ndërkohë ndryshe nga gjykatat civile apo penale, gjykatat administrative mund të plotësohen me personel edhe nga juristë të spikatur të administratës publike me një trajnim intensiv afat shkurtër ( sigurisht këtu nuk kam parasysh modelin e gjyqtarëve të plepave)
10. Dekriminalizimi i nenit të shpërdorimit të detyrës, mendoj se është një çështje imediate e cila me prezencën e SPAK-ut, ka tmerruar administratën publike dhe ka ngadalësuar proceset administrative. Ky nen i cili është shumë evaziv, në se nuk do të dekrimininalizohet më së paku duhet riformuluar duke konsideruar si pasojë penale vetëm “dëmin e rëndësishëm”, pasi në formën aktuale ,është një mjet presioni për administratën publike dhe kushdo mund të merret në përgjegjësi penale. Kjo dispozitë është e trashëguar nga Kodi penal i përpara viteve 1990 dhe ngjan si dy pika uji me krimin e agjitacionit dhe të propagandës.
11. Bëji që edhe për një pesëvjeçar sistemi i drejtësisë dhe vetingut, të monitorohet nga të huajt, pasi druaj se do të kthehemi në pikën zero, në se kjo do të ju besohet institucioneve shqiptare të cilat për mirësjellje po themi se nuk janë të maturuara sa duhet…
Administrata publike
1. Është i pamohueshëm suksesi i reformës që qeveria juaj ka bërë në fushën e shërbimeve publike, veçanërisht atë të digjitalizimit të këtyre shërbimeve.
2. Janë krijuar lehtësi të paimagjinueshme më parë, në fushën e shërbimeve publike si në lehtësimin e marrjes së këtyre shërbimeve ashtu edhe në shmangien e dukurive të korrupsionit.
3. Sa më sipër duhej të ishte përkthyer në uljen e numrit të punonjësve të administratës publike në tërësi duke ulur kostot e këtyre shërbimeve për shoqërinë në tërësi, por ka ndodhur e kundërta. Numri i punonjësve të administratës publike është rritur nga viti në vit ndërkohë që popullsia ka qëndruar në vend ose është ulur.
4. E them me bindje, me eksperiencën time 45 vjeçare se numri i punonjësve të administratës publike duhet të ulet së paku me 25 përqind. Ajo mund të ulet edhe më shumë nëpërmjet studimeve serioze të funksioneve dhe qëllimeve të strukturave të kësaj administrate.
5. Qeveria nuk i ka rezistuar dot presioneve për krijimin e strukturave apo agjensive të reja me funksione të dubluara të servirura shabllon nga autorët, sipas parimit , se “kështu e ka Europa”, të cilat kanë krijuar “oaze” ku gjallojnë paaftësia dhe lloj lloj interesash, përjashtuar ato publike. Kjo jo vetëm që bart një kosto të drejtpërdrejtë për taksapaguesit por ajo që është më e keqja, këta njerëz përgjithësisht të pa aftë për të justifikuar pozicionin e tyre të punës shpikin lloj procedurash, udhëzimesh vendimesh etj. që qeveria i miraton pa hezitim por nga ana tjetër ato kompleksojnë procedurat administrative, rritin kostot dhe vështirësojnë bërjen e biznesit.
6. Procesi i rekrutimit në administratë publike ka nevojë të përmirësohet tërësisht , veçanërisht në proçesin e testimit të njohurive bazuar në kërkesat e vendit të punës duke përjashtuar kërkesat për njohuritë mbi “kozmosin” etj. që krijojnë pamundësinë e kapërcimit nga të rinjtë të pragut të administratës publike. Veçanërisht në pozicionet e ulëta, kërkesat duhet të jenë minimale përjashtuar arsimimit bazë , përkundër kërkesave të larta që duhet të vendosen për nivelet drejtuese. Nuk ka hapësire për të sapo diplomuarit, kërkesa për master për specialistët e ulet është e ekzagjeruar. Praktikat e huaja nuk e kane kërkesë përjashtuese por favorizuese.
7. Vlerësimi i performancës së personelit aktualisht është tërësisht formal, ndërkohë që kjo është një nga instrumentet kryesor që nxit punonjësin për arritjen e objektivave. Në tërësi në se do të bënim një vlerësim mesatar të personelit të administratës publike referuar vlerësimit të performancës nga eprorët direkt, pa frikë mund të themi se ajo është në nivelin “mirë” me tendencë për “shumë mirë”, çka është një vlerësim tërësisht jashtë realitetit. Vlerësimi i performancës personelit rrezikon të mbetet i tillë përderisa ai nuk lidhet me motivimin financiar apo të zhvillimit të karrierës.
8. Zyrtarët publikë është e nevojshme të ndjehen më shumë përgjegjës, në mënyrë ligjore, materiale e financiare, për dëmet e shkaktuara shtetit gjatë ushtrimit të detyrës, duke plotësuar kuadrin ligjor tërësisht të munguar në këtë fushë. Kjo do të rriste përgjegjshmërinë e punonjësve të të gjitha niveleve si dhe përgjegjësinë menaxheriale.
9. Qeveria duhet të ketë kontroll të drejtpërdrejtë lidhur me vlerësimin e performancës së strukturave qeverisëse dhe të personelit, e cila duhet të jetë në proporcion me arritjen e objektivave dhe politikave qeverisëse. Në këtë kuadër Kryeministri duhet të ketë nën përgjegjësinë e tijë një strukturë për vlerësimin e efiçensës së strukturave publike nën modelin e qeverisë SH.B.A. e cila të bëjë direkt vlerësimin e efiçensës së këtyre strukturave , të objektivave të tyre, ashtu si edhe të monitorojë vlerësimin e performancës së personelit. Jam i sigurtë se departamenti i (vlerësimit të efiçensës) do të arrijë të propozojë një strukturë efiçente të qeverisjes dhe do të ndikojë jo vetëm në uljen e kostos administrative por edhe në zhdërvjelltësimin e procedurave administrative si dhe përmirësimin e arritjes së objektivave të saj.
Në fushën e ekonomisë
Kjo fushë përfshin një gamë të gjerë problematikash dhe politikash që duhen ndjekur dhe përmirësuar por unë po ndalem vetëm në disa prej tyre që kanë efekte horizontale.
1. Është rezultat i një pune shumë të mirë të qeverisë, shtimi i vëllimit të turizmit dhe politikat për mbështetjen e këtij sektori janë disi adekuate dhe që dita ditës po japin rezultate mbresëlënëse. Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit ka nevojë të mbështetet në një farë mase nga shteti për të krijuar një qëndrueshmëri dhe rritur cilësinë e shërbimit.
2. Nevoja për hartimin dhe miratimin e një modeli ekonomik, është domosdoshmëri. Ky model të përcaktojë degët bazë ku do të mbështetet ekonomia jonë dhe mbi këtë bazë të përpunohen politikat zhvillimore dhe instrumentet mbështetës.
3. Turizmi ka zhvillim dhe duhet mbështetur , me sa duket fale nisiativës private, dhe disa incentivave qeveritare por në më të shumtën e rasteve ekonomia është vetëorientuar. Por sjellja e turizmit duhet rregulluar me pakete aktesh ligjore e nënligjore qe mbështesin rritjen e orientuar te kësaj dege. Në këtë kuadër duket e nevojshme hartimi i një strategjie afatmesme shume dimensionale dhe urgjente. Vendet fqinje kane eksperience dhe adaptojnë lehtësisht politikat te reja konkurruese.
4. Nuk ka një turizëm të qëndrueshëm pa një bujqësi të zhvilluar dhe industri përpunuese. Një pjesë e madhe e të ardhurave që sigurohen nga turizmi transferohen përsëri jashtë vendit për blerjen e mallrave ushqimore etj. që ekonomia vendase nuk i siguron, megjithëse i ka të gjitha mundësitë potenciale si tokën,ujin, klimën, fuqinë punëtore etj.
5. Politikat për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet projekteve konkurruese, kanë nisur të jenë të drejta por hasin shumë barriera deri në finalizimin e tyre. Kjo është një nga arsyet që fondet e destinuara për bujqësinë nuk konsumohen në masë të madhe ndërkohë që nevojat janë imediate. Pa dashur të përsëris ato që thotë Erioni në adresë të AZHBR dhe të Ministrisë Bujqësisë, të cilat janë të besueshme në vlerësimin tim, më duhet të evidentoj faktin se është hequr dorë padrejtësisht , janë suprimuar apo reduktuar strukturat rajonale të bujqësisë punonjësit e të cilave janë shndërruar nga prodhues kulturash bujqësore, thjesht në “prodhues” statistikash shterpe. Ato duhet të riorganizohen dhe të këshillojnë dhe orientojnë pa pagesë fermerët lidhur me strukturën e kulturave, mbrojtjen e bimëve dhe të blegtorisë, si dhe të asistojnë hartimin e projekteve për mbështetjen e fermerëve.
6. Të rishikohen politikat e subvencionimit të bujqësisë me synimin që të subvencionohen produktet dhe jo sipërfaqet, duke nxitur krijimin e shoqatave të fermerëve dhe kooperimin në prodhim dhe marketing. Kjo mënyrë përveçse do të rrisë efiçensën e subvencionit do të ndikojë drejtpërdrejt në formalizmin e ekonomisë bujqësore. Mënyra aktuale e financimit është abuzive dhe jo efikase. Eksperiencat e fqinjëve tanë janë një përvojë e suksesshme dhe duhet të implementohet.
7. Rënia e numrit të krerëve të blegtorisë dhe për rrjedhojë e produkteve blegtorale, është një sinjal ulëritës dhe është rrjedhojë e politikave të gabuara për mbështetjen nga qeveria. Politikat proteksioniste nuk është se japin rezultate afat gjata por në terma afat shkurtra duhen aplikuar si për produktet bujqësore ashtu edhe blegtorale dhe këtë po e bëjnë edhe shtetet më të zhvilluara dhe nuk ka pse të mos e aplikohet edhe nga vendi ynë.
8. Ajo që rëndom thirret si shpopullimi dhe emigracioni, unë i shoh si të pashmangshme në kushtet e lëvizjes së lirë. Kjo dukuri tenton të jetë ashtu siç edhe shpesh e emërtojnë, si ligji ekonomik i popullsisë sipas të cilit, popullsia ka tendencë të gravitojë rreth kapitaleve dhe për rrjedhojë, si lëvizja nga fshati në qytet ashtu si edhe nga Shqipëria për jashtë, është e pashmangshme, për shkak të zhvillimit të pabarabartë ekonomik e politik që ekziston midis rajoneve dhe shteteve por ajo që mund të frenojë këtë dukuri janë politikat mbështetëse për bujqësinë, frutikulturën dhe blegtorinë.
9. E lidhur ngushtë me bujqësinë zhvillimin e saj por edhe me turizmin është industria përpunuese. Fermerët e braktisin tokën edhe për faktin se prodhimet e tyre nuk gjejnë tregun e dëshiruar, sepse konsumi i tyre është sezonal , ndërkohë që nuk ka kapacitete ruajtje apo përpunimi dhe kështu nevojat gjithëvjetore mbulohen nga importi,ndërsa prodhimet vendase hidhen në lumë. Kjo për shkak se industria përpunuese është pothuajse jashtë vëmendjes së qeverisë me incentivat dhe mjete. Ajo ka nevojë urgjente për mbështetje financiare dhe organizim strukturor.
10. Kujdesi për tokën dhe shfrytëzimin e saj, duhen shtuar si në pikëpamje të mbrojtjes së tokës nga erozioni që është tërësisht përgjegjësi e qeverisjes qëndrore, ashtu si edhe të shfrytëzimit të saj dhe zhvillimit të tregut të tokës, nëpërmjet instrumenteve fiskalë dhe shpejtimin e masave për regjistrimin e tokës si pasuri e paluajtshme.
11. Kapacitetet vaditëse të ndërtuara që përpara vitit 1990 janë lënë në mëshirën e fatit jashtë vëmendjes dhe kujdesit të qeverisë dhe janë në degradim e sipër. Vënia e tyre në shfrytëzim dhe dhënia në përdorim shoqatave të vaditjes apo privatizimi i tyre, do të kishte një ndikim të fortë në zhvillimin e prodhimit bujqësor.
12. Kontrolli mbi inputet bujqësore është një hallkë e dobët, e gjitha nën përgjegjësinë e qeverisë dhe duhet të forcohet. Kjo shpesh herë u shkakton fermerëve dëme të konsiderueshme për shkak të cilësisë së dobët të tyre ose për shkak të kontaminimit të prodhimit ose se ato janë jashtë standardeve të BE. Lipset një autoritet i veçantë për mbikëqyrjen e respektimit të standardeve dhe kontrollin e cilësisë së prodhimeve bujqësore nga prodhimi deri në treg është i domosdoshëm tashmë.
13. Krijimi i një banke bujqësore me pjesëmarrjen e shtetit, duke alokuar disa nga fondet dhe grantet e deritanishme apo duke shtuar ato, do t’í jepte një shtysë të mirë zhvillimit të prodhimit bujqësor dhe aktualisht përbën një domosdoshmëri për sektorin bujqësor.
14. Qeveria në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve duhet të gjejë mekanizma mbështetës për mbrojtjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale nga fatkeqësitë natyrore duke përballuar fillimisht qoftë edhe një pjesë të primit të sigurimeve.
15. Përmirësimi i masave si më sipër do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtimin e prodhimit bujqësor e blegtoral, zhvillimin e turizmit, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe frenimin e shpopullimit të vendit. Këto masa kërkojnë investime minimale dhe përmirësime strukturore të administratës publike.

Në fushën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

1. Kuadri ligjor i këtij sistemi është tejet i mangët dhe primitiv. Sistemi ynë i sigurimeve shoqërore ka nevojë të reformohet tërësisht. Ky sistem qeveriset nga një ligj i vitit 1993 i cili ka ndryshuar jo më pak se 25 herë dhe shoqërohet nga një duzinë ligjesh të tjera paralele si për ushtarakët, ata që mbajnë tituj shkencor, minatorët, pilotët, naftëtarët etj. Nga ana tjetër në zbatim të këtyre ligjeve kanë dalë rreth 100 VKM. Kjo kakofoni dispozitash krijon vështirësi në menaxhimin e sistemit si dhe mbart mundësinë e gabimeve dhe të abuzimeve.
2. Nevoja e një ligji të ri për sigurimet shoqërore është imediate, bazuar në parimet dhe strukturën e sigurimeve sociale në vendet demokratike dhe partneritetin publik privat.
3. Kuadri ligjor ekzistues ka krijuar pabarazi në trajtimin e pensionistëve. Kështu janë në fuqi dy skema. Skema që trajton pensionistët që kanë dalë në pension përpara vitit 2015 dhe ata që kanë dalë në pension në vitin 2015 e më pas. Këto dy skema bazohen në kritere të ndryshme të llogaritjes pensionit. Skema e parë i referohet një pensioni tavan pavarësisht nga kontributet, ndërsa skema e dytë është skema aktuale që bazohet në kontributet. Kjo ka krijuar një pabarazi të theksuar midis njerëzve, sa që ata që kanë dalë në pension me 31.12.2014 , llogaritet që pensioni i tyre të jetë deri në dyfish më i vogël se po i njëjti person të ketë dalë në pension me 1.01.2015. Kjo nuk është shkelje e barazisë përpara ligjit por ligji nuk është i barabartë për të gjithë, është diskriminues.
4. Ligji për pensionet suplementare është gjithashtu një amalgamë konceptesh dhe idesh të materializuara në dispozita dhe ka një trajtim të pabarabartë, referuar kontributeve. Kështu pensioni suplementar për trajtimin e nëpunësve është pa kufi dhe bazohet mbi kontributet, ndërsa pensionet suplementare të ushtarakëve kufizohen deri në 50 % të pensionit të pleqërisë. Pensionet e zyrtarëve të lartë të shtetit si ministrat deputetët etj bartin pabarazi të hapura principiale në trajtim referuar kontributeve . Ndërkohë një kategori tjetër përfituesish e përfitojnë pensionin suplementar që nga viti 1994, pavarësisht kohës kur kanë filluar të derdhin kontributet përkatëse. Kjo tregon se në hartimin e këtij legjislacioni ka dominuar klientelizmi dhe ato janë hartuar sipas interesave të grupeve të caktuara, gjë e cila duhet të marrë fund dhe të ndryshohet.
5. Rrjedhojë e anomalive të përmendura më sipër, pjesa më e madhe e pensioneve janë në një nivel të ulët që nuk përballojnë denjësisht jetesën. Masat e qeverisë lidhur me akordimin e bonuseve janë një përpjekje e dështuar për të zbutur sadopak këto anomali edhe pse në të vërtetë janë një ndihmë e mirë për këtë shtresë por nuk janë një zgjidhje. Prandaj zotni Kryeministër, duhet të jeni i qartë dhe të lançoni qëndrimin e qeverisë për mandatin e katërt se si do të zgjidhet ky problem. Deklaratat e herëpashershme se po punohet për një reformë në pensione, pa shpallur qartë kriteret dhe objektivat se ku synohet të arrihet, veçse e shton amullinë që ekziston në këtë fushë.
6. Qeveria duhet ta bëjë të qartë se ndryshe nga pagat, nuk mund të ketë rritje të herë pas hershme pensionesh por vetëm indeksim të tyre. Kjo është propagandë dhe synon manipulimin e grupeve përkatëse për qëllime elektorale. Kontrata e pensionistit me shtetin lidhur me kontributet e tij, mbaron me ditën që del në pension. Pagat dhe pensioni janë dy gjëra të ndryshme dhe burimet e financimit të tyre janë ndryshme.
7. Reforma e pensioneve që Ju keni në mendje duhet të zgjidhë në këtë fazë, caktimin e pensionit minimal, pavarësisht nga kontributet dhe kjo buron nga parimi i solidariteti social që kanë fondet e sigurimeve shoqërore. Një pjesë e kontributeve janë paguar nga punëmarrësi dhe kjo shumë është transferuar në koston e produktit, të cilën e ka paguar e gjithë shoqëria nëpërmjet çmimit. Mbi këtë dysheme duke përdorur kritere të barabarta, duhet të ndërtohet e gjithë skema e pensioneve bazuar në kontributin e gjithsecilit.
8. Thjeshtimi i procedurave të pensionit është një çështje tjetër që duhet të jetë në fokusin e qeverisë. Është një stërmundim i vërtetë të aplikosh për pension. Vitet e punës konsiderohen të humbura sepse nuk ndodhen listat në arkivin Qendror të Lundrës edhe pse ti mund të kesh vërtetime origjinale të pagës,libreza pune apo dokumente të tjera që vërtetojnë vjetërsinë. Qasja e këtij institucioni ndaj punës është tërësisht një model sovjetik, i injektuar nga një personel dhe praktika të vjetra dhe aktualisht mund të themi pa vështirësi se është institucioni më i pa reformuar i administratës publike.
9. Masat e shpallura nga qeveria për të luftuar informalitetin në punësim, me synimin se mbi këtë bazë do të rriten burimet e sigurimeve shoqërore është i drejtë dhe sigurisht duhet të mbështetet nga gjithë opinioni por këto masa janë gjysmake.
9.1. Qeveria duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për rritjen e normës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe heqjen e tavanit mbi të cilën ajo aplikohet. Aktualisht vendi ynë ka normën e kontributit më të ulët në rajon. Rreth 40 përqind më të ulët se Bosnja, 28 përqind më të ulët se Serbia dhe 22.5 % më të ulët se Mali i Zi. Një përmirësim kërkohet edhe për raportet e kontributit midis punëmarrësit dhe punëdhënësit pasi ato janë caktuar në mënyrë krejt empirike.
9.2. Një burim tjetër për rritjen e pensioneve është pakësimi i shpenzimeve administrative të ISSH. Aktualisht me gjithë digjitalizimin e procedurave të pensioneve që ka krijuar një lehtësi të madhe, shpenzimet administrative jo vetëm që nuk janë ulur por janë rritur nga viti në vit. Aktualisht janë më shumë se 3.5 miliardë lekë shpenzime administrative ose rreth 35 milion euro, të destinuara për ISHSH dhe një numër prej rreth 1.500 punonjësish të cilët në dhjetëvjeçarin e fundit janë rritur me mbi 300 punonjës. Shpenzimet administrative okupojnë fondin e pensioneve për më shumë se 14.000 pensionistë.
9.3. Numri i punonjësve të ISSH, duket se është i lartë në krahasim me numrin e pensionistëve që dalin çdo vit në pension. Kështu i takon që një punonjës mesatar, trajton 28-30 dosje të reja pensioni në vit, norme e cila së paku mund të dyfishohet
9.4. Nivelin e shpenzimeve administrative e rrisin në mënyrë të panevojshme hallkat e panumërta improduktive që janë ngritur në këtë institucion, përfshirë edhe një Këshill Administrativ gjigant prej 12 anëtarësh, vendimmarrjet e të cilit janë tërësisht të kufizuara dhe janë të përcaktuara në ligj. Përbërja e këtij këshilli duket se është më shumë çështje çokash se sa nevoja për të ushtruar funksionet. Funksionet e këtij këshilli janë tërësisht të diskutueshme dhe të panevojshme dhe mund ti transferohen lehtësisht Drejtorit të Përgjithshëm dhe Ministrit përgjegjës për financat ose sigurimet shoqërore.
10. Fondi Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor qeveriset nga një ligj i vitrti 2011 që ka ndryshuar 6 herë dhe është një strukturë tjetër që kërkon një reformim të shpejtë. Ai i kushton taksapaguesve shqiptarë në masën 1.5 miliardë lekë ose 15 milion euro në vit. Ekzistenca e tij duhet tí nënshtrohet një vlerësimi performance.
10.1. Funksionet e tij janë të mbi vendosura apo të ngjashme me Ministrinë e Shëndetësisë apo ISSH dhe në fund të fundit reduktohet te lista e barnave të rimbursueshme….
10.2. Fondi ka një Këshill Administrativ prej 7 vetësh i cili është tërësisht i panevojshëm dhe i krijuar vetëm për çoka. Si në rastin e ISSH edhe në këtë rast funksionet e kësaj strukture mund të transferohen lehtësisht te Ministria e Shëndetësisë apo ISSH. Këto funksione janë të përcaktuara qartësisht në ligj dhe mund të zbatohen nga çdo autoritet.
10.3. Niveli i kontributeve të sigurimit shëndetësor është rreth 3-4 herë më i ulët se i vendeve të rajonit dhe domosdoshmërisht duhet të rritet për të përballuar funksionet
10.4. Me qëllim që të rritet efektiviteti i këtij fondi dhe niveli e cilësia e shërbimit shëndetësor, Fondi duhet të jetë më i hapur në tregun aktual të sigurimeve duke krijuar hapësira për partneritet me kompanitë e sigurimeve për shërbimet që nuk mund të jepen nga sistemi publik shëndetësor.
Si konkluzion: Një reformë e thellë, tërësore në fushën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, është imediate. Anomalitë dhe gropat e këtij sistemi nuk mund të mbushen me ndryshime pjesore ligjore apo qoftë edhe strukturore.
Të ndryshme.

1. Është e domosdoshme që i gjithë sistemi i administratës publike t’i nënshtrohet një vlerësimi lidhur me përmirësimin e kuadrit rregullator për nevojën,performancën, krijimin, përbërjen dhe shpërblimin e organeve kolegjiale ( bordeve,këshillave) të institucioneve publike. Ky është edhe në një linjë me rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në sektorin publik përjashtuar Bankës Shqipërisë, bordet/këshillat etj. të këtij soji, janë tërësisht të panevojshme dhe në ndonjë rast shërbejnë edhe si “parashutë” për të mbuluar mangësitë e ekzekutivit. Kjo nuk përjashton rastin kur niveli i lartë i menaxhimit në subjektet publike, mund të ngrejë këshilla ose borde ad hoc, pa shpërblim, me funksione konsultative, me përbërjen e drejtorëve apo specialistëve brenda subjektit.
2. Një numër i madh agjensish dhe strukturash janë krijuar nën modele shabllone të vendeve të huaja,me funksione të mbivendosura, që bartin një kosto të madhe administrative dhe një barrë për taksapaguesit. Kjo kërkon një vlerësim për performancën e tyre dhe mbi këtë bazë një vendim të argumentuar për suprimim e disa prej tyre.
3. Modeli i sistemit arsimor aktual është provuar se ka dështuar. Kjo bart një kosto të madhe jo vetëm për ne por edhe për brezat e ardhshëm. Një nga arsyet e emigrimit të familjeve shqiptare referuar statistikave, është se ai bëhet edhe për shkak të shkollimit të fëmijëve. Në vlerësimin tim, një arsye e dështimit të këtij sistemi është zhvendosja e qendrave të edukimit. Ky sistem ka nëpërkëmbur dhe denigruar rolin e mësuesit, duke ja nënshtruar atë komunitetit të prindërve (më ngjan si qasje e hershme kineze e revolucionit kulturor) . Një tjetër shkak që duhet të eliminohet pa vonesë është i ashtuquajturi altertekst, i sponsorizuar nga interesa biznesi, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e njohurive të nxënësve. Qeveria duhet pa vonesë të përzgjedhë një model sistemi arsimor dhe t’a përshtatë atë me kushtet e vendit tonë, duke vënë në qendër të vëmendjes shkollën dhe mësuesin në procesin e edukimit në të gjithë dimensionin e tijë. Arsimi profesional është në një shkallë të ulët dhe ka nevojë për një orientim të saktë qeveritar si një nga faktorët për zbutjen e varfërisë dhe frenimin e shpopullimit.
4. Korrupsioni është një nga fushat ku do të më duhej të zgjerohesha shumë në këtë promemorie por kjo kërkon një hapësirë më të madhe. Masat e qeverisë për qeverisjen elektronike të shërbimeve publike dhe më tej të përdorimit të IA në prokurimet publike duket se janë në rrugën e duhur. Ajo që më duhet të parashtroj është parandalimi i kapjes së shtetit në bërjen e ligjeve. Janë shumë të përfolura disa nisiativa legjislative që bëhen në interes të grupeve të caktuara dhe qeveria duhet të jetë e kujdesshme dhe të sigurohet për përputhjen e këtyre nismave me politikat e saj të shpallura. Ka raste që grupe të caktuara lobojnë për hartimin e ligjeve VKM apo udhëzimeve në favor drejtpërdrejt të tyre. Po sjell vetëm një shembull skandaloz. Udhëzimi Nr 22 datë 20.10.2020 i Ministrisë Drejtësisë dhe i Ministrisë Financave “Për përcaktimin e tarifave të shpërblimit noterit….” Sipas këtij udhëzimi noteri përfiton shpërblim, në bazë të vlerës së kontratës dhe tarifa rritet deri në tetë herë në varësi të kësaj vlere për të njëjtin tip kontrate. Kjo është tërësisht korruptive për shkak se noteri dhe puna e tij nuk ka asnjë lidhje me vlerën e kontratës por me shpenzimet që duhen për hartimin e kontratës, të cilat në rastin konkret janë të njëjta për të gjitha kategoritë e vlerës dhe nuk afektohen në asnjë rast nga vlera e kontratës. Kjo në historinë e sistemit fiskal të kujton por me sens të kundërt, “tatimet e jashtëzakonshme dhe progresive mbi fitimet e luftës”, të cilën qeveria komuniste i adoptoi menjëherë pas luftës dytë për të shkatërruar tregtarët. Këto të ardhura shkojnë tërësisht në xhepat e noterit dhe nuk është se pjesë të tyre i shkojnë shtetit, e cila megjithëse nuk do ishte e drejtë do të ishte gjysma e së keqes. Ka më shumë se 10 vjet që e kemi ngritur zërin me forcë për këtë çështje por “kori” i noterëve e ka mbytur zërin tonë. https://gazeta-shqip.com/koment/si-grabiten-qytetaret-ne-baze-te-ligjit/
5. Mbrojtja e konsumatorit është një nga hallkat më të dobëta të qeverisjes Tuaj, e cila ka pasoja shumë dimensionale. Ajo ndikon në shëndetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve të pasurisë së tyre por edhe dëmton konkurrencën e ndershme në treg. Siguria ushqimore ka prekur fundin dhe spekulantët po lulëzojnë. Ne jemi dëshmitarë se në treg qarkullojnë produkte të dëmshme për shëndetin, fallco, që nuk përmbajnë vlera e etiketës, të skaduara etj , të cilat kanë kaluar hallkat e kontrollit dhe shiten për produkte të çertifikuara. Nga ana tjetër fatkeqësisht jemi dëshmitarë të hedhjes në treg të produkteve me simulantë, të përdorimit të pesticideve të ndaluara etj të cilat qarkullojnë lirisht në tregun e brendshëm dhe disa herë ndeshen me “postbllokun” e BE. Kjo përveç të tjerash është përgjegjësi tërësore e shtetit i cili ka ngritur mekanizmat e kontrollit dhe të monitorimit por ato nuk kanë funksionuar.
6. Ne jemi dëshmitarë gjithashtu edhe viktima të përdorimit të karburanteve me lëndë të huaja që rrisin volumin dhe ulin fuqinë e tyre duke rritur kështu fitimet e tregtarëve dhe duke dëmtuar rëndë mjedisin por edhe automjetet tona. Dhe ajo që është më e pakuptimtë është se; edhe kur këto në raste të rralla( pasi në këtë fushë korrupsioni është evident) identifikohen nga autoritetet, ato nuk publikohen pasi sipas tyre dëmtohet imazhi i subjektit. Si në këtë rast ashtu edhe për cënim të sigurisë ushqimore, sipas meje nuk duhet dhe nuk ka asnjë arsye të ketë , paralajmërim, masë me gjobë por vetëm një masë; mbylljen e biznesit por edhe përgjegjësi penale.
7. Shkaqet lidhur me dëmtimin e interesave të konsumatorëve janë të lidhura edhe me një institucion që në perceptimin tim është i korruptuar por edhe i pa aftë të kryejë funksionet që i ka ngarkuar ligji. Mos kryerja e këtyre funksioneve është e lidhur edhe me kapacitetin e pamjaftueshëm teknik dhe integritetin e personelit të këtij institucioni. Nga ana tjetër për të shmangur korrupsionin në këtë institucion është e nevojshme të përsosen procedurat e kryerjes së testeve,analizave, duke shmangur tërësisht identitetin e vërtetë të subjektit që ekzaminohet.
8. Një numër i madh institucionesh të pavarura që e konsiderojnë veten se varen vetëm nga “zoti” janë krijuar në vendin tonë për të ushtruar funksione të rëndësishme të shtetit. Në pamjen time kjo qasje e tyre, e kombinuar edhe me integritetin e munguar në disa raste të drejtuesve, i ka kthyer disa nga këto institucione në “oaze” ku vegjetojnë një numër i madh njerëzish që janë kthyer në një barrë për taksapaguesit dhe për çudi herë pas here kërkojnë shtesë personeli dhe rritje të pagave. Kësisoj vendosja e kontrollit mbi këto institucione është domosdoshmëri për të rritur efiçensën e tyre. Kur them të kontrollit kam parasysh kontrollin parlamentar ( mos o zot të Qeverisë) nëpërmjet raportimit jo vetëm një herë në vit por në mënyrë të vazhdueshme si dhe monitorimit të veprimtarisë tyre nga komisionet parlamentare, deri edhe te ekzaminimi i veprimtarisë së tyre. E di se “sovranistët” mund të mërziten nga kjo qasje por është më mirë të mërziten ata se sa taksapaguesit…
9. Besoj se ka ardhur koha të vlerësohet edhe më tej decentralizimi i disa funksioneve në pushtetin vendor, si arsimi dhe shëndetësia, duke kombinuar dhe ndarë midis qeverisë qendrore dhe lokale disa kompetenca, të cilat do ti bënin më efikase këto shërbime.
10. E fundit por jo për nga rëndësia, është një lutje. Na shpëto nga ato medie, që dita ditës na terrorizojnë me lajmet të rreme, konflikte, gjuhën e urrejtjes, shpifjen, lakuriqësinë, prostitucionin, krimin, drogën etj. Na shpëto nga analistë dhe medie të sponsorizuara nga qarqe reaksionare antishqiptare, që nxijnë gjithçka shqiptare, që mohojnë traditat dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve. Na liro nga çdo censurë mbi lajmin e vërtetë dhe me interes publik. Përndryshe, na mbro o Zot…. !
11. Dhe e fundit fare. Unë e di atë aforizmin e Philip Stanphone se “Këshillat rrallë herë mirëpriten. Dhe ata që ju a kanë më shumë nevojën i pëlqejnë më pak”. Por Sadiu i madh më nguci t’i shkruaj këto radhë kur ai thoshte: “Nuk fshihet këshilla për njerëzit që do”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb