TIRANË
Deputeti i PD-së Saimir Korreshi ka folur sot për zhvillimet në Kuvend që çuan në përjashtimin e tij dhe të 24 kolegëve demokratë për 40 ditë. Korreshi tha në Neës24 se maxhoranca nuk respekton vendimet e Kushtetueses dhe se janë dënuar pa ligj. Sipas tij, Parlamenti duhet të kishte mbledhur Këshillin e Mandateve para se të merrte një vendim për deputetin e PD Ervin Salianji.
“Gjykata Kushtetese i dha tre herë të drejtë opozitës. Minimalisht ky parlament duhet të kishte dinjitetin që të mblidhte dhe këshillin e mandateve, të sillte dhe vendimin e Gjykatës së Apelit, me vulë, me firmë gjyqtarësh, diçka juridike që ndodh rëndom në shtetin ligjor. Kjo gjë nuk ndodhi. Që aty bie argumenti.
Unë u bëra 40 vjet që nuk isha shtyrë me ndonjë në jetën time. Nuk jam as boksier i mirë, as i fortë, as gangster dhe nuk është në ADN time që të bëjë debate e të bëhem protagonist. Por kur t’i më heq fjalën, këtu ndryshon. Nuk janë deputetët, administratë publike”, tha Korreshi.
Ai theksoi se nuk ka përdorim të mjeteve piroteknike në Kuvend.
“Ne u dënuam me 40 ditë të hënën, gjë që nuk e ka ligji. Gjykata Kushtetuse e ka rrëzuar rregulloren e re. Këta dënojnë dhe pa ligj. Aty nuk ka mjete piroteknike. Rasti i Saimirit, mori karrigen e çoi jashtë, ku hyjnë mjetet piroteknike?!”, tha Korreshi.
Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani, deklaroi se shumë prej kauzave për të cilat opozita parlamentare reagon janë të drejta, por mënyra që zgjedh më shumë e forcon se sa dobëson Edi Ramën, dhe dobëson opozitën.
“Fjalimet e z. Korreshi kanë më shumë efekt se djegia e karrigeve.
Unë jam nga ata që mendojnë se Edi Rama mundet me zgjedhje. Si e nxjerrim Spiropalin dhe grupin e Spiropalit në minorancë, kjo nuk është strategjia e duhur. Unë nuk besoj që kjo e rrit opozitën. Në zgjedhjet e ardhshme të votojnë më shumë deputetët e opozitës që të djegin më shumë karrige”, tha Shabani.
Nga ana tjetër Korreshi deklaroi se Rama është aty me votat e pakicës.
“Nga 2021 e këtej ka ndryshuar shumë situata, por në 2021 pati një diferencë shumë të vogël, po të ishte tjetër skemë, mendoj se do ishin në opozitë sot. Kanë 48 % të votave të shqiptarëve, qeverisin dhe për 52%”, tha ai.