Kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zgjedhjet e 2025 dhe përgatitjet që po bëhen për mirëorganizimin e procesit.

Ai tha se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  po vijon puna dhe angazhimi maksimal.

Në lidhe me zgjedhjet e 2025, jemi në një atmosferë pune. Ngarkesa është maksimale edhe sepse duket se jemi larg ditës së zgjedhjeve. Ka aspekte të procesit zgjedhor që duhet të adresohen që tani. Kjo periudhë ndaj na gjen në tërësi KQZ të angazhuar.
Raporti i KQZ me të tretë është një çështje tjetër”, tha ai.

Celibashi tha se ishte skeptik në lidhje me përparimin për Reformën Zgjedhore dhe arritjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve.

Ai tha se veç kalendarit nuk është parë asnjë përparim të dukshëm.

Optimizmi duhet të jetë i moderuar kur shohim që progresi në kuadër të Reformës Zgjedhore është zero. Komisioni e mbylli misionin pa asnjë rezultat. Këto rrethana të bëjnë të jesh skeptik për suksesin e mekanizmit të ri që partitë apo Kuvendi kanë adoptuar për të zgjidhur Reformën Zgjedhore. Duket se ka një lloj veprimi por ende një rezultat. Fakti është që veç kalendarit nuk kemi ende asgjë konkrete”, tha ai.

Celibashi foli edhe në lidhje me votën e diasporës, për të cilën tha se duhet të miratohen menjëherë rregullat ose ndryshe rrezikohet dështimi i procesit.

Kreu i KQZ shtoi se gjithçka duhet të miratohet para mbylljes së sesionit të Kuvendit pasi nëse do të shkohet deri në shtator, do të jetë vonë për të përgatitur gjithçka.

Kuvendi duhet të vendosë për votën e emigrantëve, të diasporës. Çdo ditë që kalon edhe nëse do të kemi një proces të realizuar në kuadrin rregullator, vihet në rrezik aplikimi dhe dështimi i procesit në këtë kuadër. Alertimi i përsëritur shpresoj të mos e konsiderojnë si një justifikim për një dështim të mundshëm të votimit nga jashtë. Natyra e procesit kërkon që rregullat të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur ndryshe nuk do të kemi kohë të zbatojmë këtë proces. Po humbim ditë të rëndësishme. Numri i atyre që pres të votojnë jashtë territorit nuk besoj se do të jetë rreth 1 mln. Ndaj shoh që kohë kemi mjaftueshëm nëse nuk humbim kohë. Duhet të miratohet brenda sesionit të Kuvendit. Nëse shtyhet për në shtator do të jemi si në kushtet e zgjedhjeve të kaluara”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: