Deputetët e opozitës kishin kërkuar sot interpelancë me Edi Ramën për çështjen e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, që ndodhet në kampin sirian, por kryeministri nuk është paraqitur në seancën e sotme plenare, në Kuvend, por është përfaqësuar nga ministrja Elisa Spiropali.

Ky veprim i Ramës ka revoltuar deputetin e opozitës, Andi Përmeti, i cili iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke i thënë se ka shkelur rregulloren me ndryshimin e bërë.

“Ministri i Jashtëm nuk ka ardhur dhe përgjegjësi që do të përgjigjet është ministrja Spiropali. Unë jam njoftuar vetëm sot në mëngjes për këtë ndryshim. Ju keni thirrur një ministër tjetër në shkelje të rregullores për t’u përgjigjur. Më vjen keq, nuk jeni ju nga ata që Rama tërheq për hundësh. Sot në nderin tuaj do të ishte të kishit detyruar ministrin e Jashtëm të kishte ardhur këtu”, tha ai.

Por, në përgjigjen e tij, Ruçi tha se Rama ka të drejtë që ta delegojë çështjen e interpelancës.

“Në radhë të parë si administrata dhe unë e kemi zbatuar rregulloren. Shkelje do të kishte nëse nuk do të vinte në seancën më të parë interpelanca e parë, kryeministri që është edhe ministër i Jashtëm është e drejtë e tij ka delegojë nëse e ka të pamundur ardhjen në parlament”, deklaroi Ruçi.

Ndërkohë, deputeti Përmeti reagoi sërish, duke theksuar se me delegimin e interpelancës u shkel rregullorja. “Kryeministri ka të drejtë ta delegojë kur interpelanca kërkohet me kryeministrin, por unë e kërkova interpelancën me zotin Rama si ministër, pra ministri nuk ka të drejtë ta delegojë interpelancën”, u shpreh Përmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb