TIRANË

Ndërsa komentoi cështjet gjyqësore, këtë herë si avokat, ish-prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku foli për vështirësitë e hasura gjatë profesionit të tij. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’, Sollaku u shpreh se vështirësitë janë të mëdha pasi gjykata nuk funksionon si duhet.

“Ne kemi një problem shumë të madh sot, se gjithandej përdoret fjala burg, burg, burg, ne jemi një vend i vogël, kanë ngelur a s’kanë ngelur këtu 2 mln vetë. Ne me këto politika të ashpra dënimi, për cështje ordinere kalojmë te burgu. Në këtë mënyrë ne po kriminalizojmë shoqërinë dhe është e pafalshme për mua që ka një trysni të madhe te gjyqtarët te prokurorët për të dhënë për cdo rast dënime me burg”- tha Sollaku, ndërsa shtoi se dënimi ndaj gjyqtarëve të Apelit në Durrës është i pabazuar në prova.

Pjesë nga Intervista:

Kush është më e vështirë në rolin mbrojtës, një politikan, gjyqtar apo qoftë një i akuzuar për organizatë kriminale apo trafik droge?

Për pozicionin e avokatit nuk ka të bëjë shumë personi me të cilën ti mbron është më e lehtë kur provat janë të dobëta dhe më e vështirë kur policia, prokuroria i ka qepur ato, në kuptimin figurativ. Nuk ka vështirësi, vështirësi ka kur policia dhe prokuroria e ka bërë detyrën e vet, e ka provuar tej cdo dyshimi të arsyeshëm dhe kjo vështirëson punën e avokatit. Ndërkohë e lehtëson punën e avokatit, pavarësisht subjektit, qoftë politikan apo qytetar, kur provat janë të zbehta. Pra, kjo nuk ka të bëjë shumë me personin por me cilësinë e provave që janë administruar për cështje konkrete.

Konkretisht në punën tuaj, nuk keni patur vështirësi.. ?

Ka vështirësi shumë sepse nuk funksionon si duhet gjykata. E kam thënë disa herë në studio që unë si qytetar si avokat nuk dua të di fare se kush është prokurori, polici, kryeministri, unë si qytetar kam të drejtë të bëjë gjithçka vetëm të mos shkel ligjin, dhe nëse dikush mua më cënon në të drejtat e mia që mi njeh Kushtetuta, konventat, e ligjet atëherë unë kam të drejtë të shkoj në gjykatë dhe gjykata është ajo që e ndan kam të drejtë s’kam të drejtë.

Ne kemi një problem shumë të madh sot, se gjithandej përdoret fjala burg, burg, burg, ne jemi një vend i vogël kanë ngelur a s’kanë ngelur këtu 2 mln vetë. Ne me këto politika të ashpra dënimi, për cështje ordinere kalojmë te burgu. Në këtë mënyrë ne po kriminalizojmë shoqërinë dhe është e pafalshme për mua që ka një trysni të madhe te gjyqtarët te prokurorët për të dhënë për cdo rast dënime me burg. Ligji ëshë shumë i mirë, lejohen dënime alternative po shumë pak ato zbatohen.

Dalim sërish për lidhje të krimit me politikën, është kjo një lidhje që i jep kurajo krimit?

Ky është realiteti shqiptar . Lidhjet apo njohjet, si mund t’ja vëmë emrin lidhen në periudhë fushatash elektorale, por mund të them që sa vjen kjo situatë po minimizohet. Ndryshe kur ishte sistemi maxhoritar kur mblidhnin rreth vetes njerëz të fortë dhe kishin reputacion dhe ndryshe është tani. nuk janë më ato situata kur grupe kriminale mbështesnin kandidatë në fushata elektorale. Gjithësesi mendoj që ky fenomen nuk është zhdukur por është minimizuar dhe veçanërisht janë disa masa shtreguese në kodin penal, ligji i dekriminalizimit. mendoj që sa po vjen e situata po normalizohet të shohim zgjedhjet e ardhshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb