Shuhen shpresat se mund të gjenden persona të mbijetuar, 3 ditë pas mbytjes së super jahtit Bayesian në brigjet e Palermos.
Të ndihmuar nga automjete të telekomanduara që mund të veprojnë në shtratin e detit për një kohë më gjatë se vetë zhytësit, tashmë po kërkohen trupat e personave të zhdukur.
Janë 6 persona që rezultojnë të zhdukur, trupat e të cilëve dyshohet se kanë mbetur në brendësi të super jahtit, që u mbyt brenda 60 sekondave, pasi u godit nga një tornado.
Dr Fabio Genco, nga Shërbimet Mjekësore Emergjente të Palermos, trajtoi 15 të mbijetuarit kur ata u sollën në breg. Fjala që të gjithë të plagosurit e përsërisnin vazhdimisht ishte errësira. Errësira që të gjithë e përjetuan gjatë mbytjes së anijes.
Ata folën për rreth pesë minuta, nga momenti kur anija u ngrit nga dallgët e detit, deri sa u fundos.
Hetuesit britanikë kanë zbarkuar në Siçili, duke punuar për të vlerësuar katastrofën dhe nëse janë marrë masa në bord për të zbutur motin ekstrem, si mbyllja e kapave: të gjitha sekretet që Bayesian mund të ketë marrë me vete në fund të detit.
Tashmë janë publikuar imazhe të anijeve të rojes bregdetare duke u nisur drejt detit në brigjet e Porticello, Siçili, ndërsa kërkimet për gjashtë personat e zhdukur vazhdojnë.
Kërkimi është tani në ditën e tretë, me përpjekjet të hënën dhe të martën për të gjetur ata që ende rezultonin të zhdukur, por polumbarët nuk kanë mundur të hyjnë në kabinat e Bayesian, që ndodhet në një thellësi prej 50 metrash.
Zhytësit specialistë – të trajnuar për të punuar në hapësira të vogla – kanë mbështetur rikuperimin e rrënojave.
Inspektorët e Mbretërisë së Bashkuar të dërguar për të ndihmuar operacionin u ulën në Porticello dje pasi u konfirmua në fillim të kësaj jave se katër nga personat e zhdukur në jaht janë shtetas britanikë. Dy të tjerë të zhdukur janë shtetas amerikanë.
Ndërkohë kanë nisur të zbardhen identitetet e 15 personave që kanë mbërritur në vend të sigurt. Trupi i një burri të gjetur pranë jahtit është ai i kuzhinierit të anijes, Recaldo Thomas, një kanadez-antiguan.
Mes të zhdukurve janë manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch dhe vajza e tij 18-vjeçare Hannah.
Katër të tjerë të zhdukur janë shefi i “Morgan Stanley International”, Jonathan Bloomer, gruaja e tij Judy Bloomer, avokati Chris Morvillo dhe gruaja e tij Neda Morvillo