Kontrolli teknik i automjeteve do të mbetet edhe për 1 vit e 4 muaj në eksluzivitetin e kompanisë ‘SGS’ Albania. Të pyetur nga News24 përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës nuk dhanë informacion për kushtet e reja të zgjatjes së kësaj kontrate por thanë se deri në dhjetor të vitit 2020 ‘SGS’ Albania do te ofrojë kolaudimin e automjeteve.


Bazuar në kontratën aktuale, kjo marrëveshje me afat 10 vjecar skadoi këtë të martë dhe shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve duhej t’i rikthehej shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga kompania private.Kolaudimi i automjeteve u dha me koncesion në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e partisë demokratike tek kompania zviceriane SGS për një afat 10 vjeçar.

Me këtë afat të ri qeveria vendosi të vijojë monopolin e këtij shërbimi ndonëse më parë ka deklaruar se do të liberalizonte tregun.Shërbimi i kolaudimit është një treg që qarkullon miliona euro në vit dhe një ndër koncensionet më fitimprurëse.Vetëm pak muaj më parë ‘SGS’ Albania u gjobit nga autoriteti I konkurrencës me 51 milionë lek gjobë për abuzim me pozitën monopol në treg.


(BalkanWeb)