Gazetari Mentor Kikia ka komentuar përplasjet e dhunshme që përfshinë ambientet përreth Kuvendit gjatë protestës së sotme. I ftuar në “Open”, Kikia shprehu shqetësimin e tij për skenat e dhunshme dhe theksoi se ato janë në kundërshtim me standardet që duhet të ketë kultura politike në Shqipëri.

“Ky nuk është imazhi që duhet të tregojmë për kulturën tonë politike. E drejta për të protestuar është e drejtë elementare, por nuk ka nevojë për kaq shumë dhunë, zjarr dhe përdorim karrigesh,” tha Kikia. Ai theksoi se protesta duhet të jetë një akt normal dhe paqësor në një demokraci, pa nevojën për të përdorur forcën për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve.

Kikia i bëri thirrje që skenat e dhunshme të shmangen, pasi ato mund të kthehen kundër organizatorëve dhe të dëmtojnë më shumë sesa të përmirësojnë situatën. Ai përmendi vitin e kaluar, kur opozita u përfshi në një valë agresiviteti ndaj parlamentit, çka, sipas tij, çoi në një ngërç politik.

“Këto imazhe nuk më qëndrojnë me atë që ne duhet të pretendojmë sa i përket kulturës sonë politike. E drejta për të protestuar është megjithatë e drejta më elementare. Protesta nuk ka nevojë për kaq gjimnastikë me zjarr e karrige. Ajo duhet të jetë gjëja më normale në një demokraci, nuk ka nevojë për t’u thënë njerëzve që po tundim parlamentin që ju të vini në protestën e datës 7.
Skenat e dhunshme mund të shmangen, për të shmangur më vonë një bumerang që mund të prodhohet. Vitin e kaluar opozita u përfshi në atë kursin e agresivitetit ndaj parlamentit dhe erdhi një moment kur kjo u kthye në ngërç dhe mbështetësit e PD po pyesnin çfarë po bëjnë. Mazhoranca po miratonte ligjet pa diskutim e pa debat. E njëjta gjë do ndodhë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: