Heqja e shiritit të kapitenit ishte vetëm ndëshkimi i parë për sulmuesin argjentinas. Drejtuesit e Interit por edhe trajneri Spaleti nuk e kanë toleruar aspak fryrjen e situatës së mungesës së rinovimit nga ana e bashkëshortes-menaxhere, Vanda Nara, e cila nuk ka lënë rast pa thumbuar klubin zikaltër.

Sjellja e Ikardit ka shkaktuar acarim brenda dhomave të zhveshjes dhe Spaleti nuk ka mundur dot ta durojë diçka të tillë, teksa ka gjetur dhe mbështetjen e drejtorit Marota.

Kështu, pas heqjes së shiritit të kapitenit, i cili i ka kaluar portierit Samir Handanoviç, Interi ka bërë hapin e radhës. Ikardi është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e vlefshme për Ligën e Europës kundër Rapidit të Vjenës, në program nesër në kryeqytetin austriak.

Gjithsesi, pritet që të sqarojë situatën trajneri Spaleti, që sot në orën 18:30 do të jetë në konferencën tradicionale për shtyp në vigjilje të ndeshjes.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: