DURRËS

Vijojnë përplasje brenda socialistëve në Durrës. E gjithë kjo sipas kandidatit për kreun e PS Durrës, Ardit Kërtusha, i cili thotë se janë ndryshuar krerët e disa organizatave që e kanë mbështetur. Megjithatë ai deklaroi në një lidhje telefonike për “News24” se nuk ka presion që i bën të tërhiqen nga gara.


Nga ana tjetër, kreu aktual i PS Durrës Luan Zaza e mohon situatën problematike dhe se Kërtusha është kërcënuar. Sipas tij Kërtusha nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e PS, ndërkohë që kandidati për kreun e PS, deklaron se nuk është lejuar.



“Është e vërtetë PS e Shqipërisë ka hyrë në proces reformimi, proces zgjedhje. Procesi ka filluar që nga organizatat socialiste, në asamble deri tek kryetarët e degëve dhe më pas të deleguarit e kreut të PS Edi Rama. Në këtë proces bën pjesë edhe qyteti i Durrësit, që ka vazhduar normalisht por kanë dalë shumë fjalë, shumë pretendime për këto përplasje, nga arsyeja e vetme sepse unë si kandidat i PS për degën Durrës kam nisur një tur takimesh që në muajin gusht për të njohur situatën ku ndodhen socialistët durrsakë dhe falë njohjes sime si ish-kreu i FRESSH. Nga këto takime kam marrë nota të ndryshme si përplasje etj. Nga këto takime ka ardhur dhe propozimi im që unë të jem pjesë e garës për kryetar i degës së PS të Durrësit.
Tani jemi në një fazë që po mblidhen dhe po reformohen të gjitha organizatat socialiste dhe në këto organizata socialiste kanë dalë edhe propozimet e para me emrin tim konkret, gjë që do e bëj formale dhe do e bëj zyrtare kandidimin për PS.
Sa i përket presioneve për vendet e punës, unë i kam marrë vesh nga mediat. Ju siguroj diçka, gjithë socialistët që kjo garë ka ardhur si kërkesë e bazës socialiste Durrës, kështu që nuk ka presion dhe nuk ka vende pune dhe nuk ka ndryshim kryetarësh organizatash që do të na mposhtin dhe do të na tërheqin nga kjo garë. Ne do ta çojmë deri në fund garën tonë dhe kauzën e gjithë socialistëve për të vazhduar më tej punën që ka nisur kryetari jonë Edi Rama.
Është një garë dhe kuptohet që brenda garës ka dhe përplasje e konflikte. Nuk besoj se ka rëndësi sepse është një garë e brendshme. Por për t’ju sqaruar janë ndryshuar disa kryetarë të organizatave që më mbështesin dhe janë munduar t’i zëvendësojnë me emra të rinj. Por edhe ata që do ndryshohen do votojnë për ne, sepse ne jemi ndryshimi, alternativa e re e kësaj partie.
Nuk na lejojnë në takime, po bëhen disa gjëra selektive por kjo nuk na pengon që të vazhdojmë garën tonë”, deklaroi Kërtusha.

Ndërkohë kreu aktual i PS Durrës, Luan Zaza thotë seprocesi i riorganizimit vijon normalisht.
“Absolutisht nuk është kërcënuar dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me mua dhe PS. Dhe në mbledhjen e organizatës ku bën pjesë nuk ka marrë pjesë dhe në mbledhjen e organizatës ku është anëtar. Nuk kam asnjë kontakt me zotin Kërtusha. Nuk ka qenë në zyrat e PS për të marrë kontakte të tilla. Këto të dhëna që jap unë janë të dhëna zyrtare. Procesi i riorganizmit në kushte normale, sipas statutit të PS-së. Në mënyrë kategorike nuk kam asnjë lloj kontakti me zotin Kërtusha”, u shpreh Zaza në News24.

(m.k/BalkanWeb)