Kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory vlerësoi sot se “Shqipëria ka shënuar përparim në fushën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Gjatë fjalës së saj në konferencën mbi arritjet, sfidat e procesit të vetingut, dhe luftën kundër korrupsionit, Pasztory u shpreh se ‘nëse nuk denoncohen rastet e krimit të organizuar, çështjet nuk do shkojnë kurrë në gjykatë dhe ky fenomen nuk do të luftohet”.

Sipas saj, janë bërë përpjekje serioze nga ana e SPAK për t’i dhënë fund këtyre fenomeneve, që disa vite më parë konsideroheshin si normale.

“Ajo që është e rëndësishme është të garantojmë që kemi akses publik te proceset gjyqësore. Një nga fushat ku kemi punuar fuqishëm me shoqërinë civile në çështjet e antikorrupsionit është platforma e detyrueshme e sinjalizimit administrativ për të inkurajuar për të pasur procedurat standarde të operimit, mekanizmat mbrojtës. Nuk ka vlerë nëse njerëzit denoncojnë krimin e organizuar dhe çështjet nuk shkojnë kurrë në gjykatë”, tha ajo.

Pasztory vlerësoi se “Shqipëria po shënon përparim në këto fusha”.
“E kam njohur Shqipërinë në 30 vite, dhe në saj të SPAK ka përpjekje serioze për t’i dhënë fund disa sjelljeve që para disa viteve konsideroheshin normale”, u shpreh Pasztory.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb