Nga e premtja në të diel në orën 21:00 Artan Imami vjen në Tiranë me një shfaqje të re në një skenë të re. Komedia “Shtëpiakët e dëshpëruar” ku interpreton bashkë me Gentian Zenelajn dhe Indrit Çobanin sjelli një trio simpatike ku përmes humorit dhe batutave vënë në lojë burrin dhe burrat që portretizojnë tri karaktere të ndryshme meshkujsh, një që sapo është ndarë nga partnerja, një që sapo ka njohur dikë dhe një tjetër që është pre e një martese të gjatë.
“Ka një skenë të re në qytet ku vjen shfaqja ‘Shtëpiakë të dëshpëruar”. Skena gjendet pas Katedrales Ortodokse dhe pas Teatrit të Kukullave, në një shesh ku mund të hyhet përmes rrugicës përballë bashkisë së Tiranës. Është një shesh që ka qiellin çati dhe mirëpret shfaqjen tonë.
“Shtëpiakë të dëshpëruar” është komedia që nis në orën 21:00. Skena e hapur pas teatrit te kukullave me 350 vende. Interpretoj përkrah Gentian Zenelaj e Indrit Çobanit dhe nuk ka më simpatikë se ne të tre për komedinë. Kjo është një pjesë që në Francë është ndjekur nga 500 mije veta. Komedia është hibrid i thjeshtë, efikas e modern njëherësh. Ka batuta e humor dhe unë e nis duke i thënë publikut, jam unë për t’u lënë?”, tregon Imami.
Aktori i njohur tregon se kryesisht ka luajtur heroin, jo viktimën dhe se këtë herë, personazhi i tij, Zheromi, është parazit e dembel.
Biletat shiten pas teatrit te kukullave në mbrëmje ndërsa pavarësisht temperaturave të verës, në orën 21:00 sheshi i kthyer në skenë është freskuar. Imami tregon se pas shfaqjes takim me publikun e muzikë. “Kjo na bën ne më të afërt kur takohemi me publikun, nuk na zbret nga piedestali”, tha ai.
Po si ka përfundoi Tirana në sheshe-skena pas godinave dhe a është mjerim sallash e mungesë sallash që që artistët detyrohen të dalin në ambiente si ky?
“Ky është i vetmi vend ku zhurmat nuk dëgjohen shumë. Shfaqja në natyrë? Që situata është e mjerueshme nuk ka nevojë të thuhet nga unë. Shpresoj të nisë sa më shpejt (ndërtimi) i Teatrit Kombëtar. Jemi jashtëzakonisht të vonuar. Duhet të fillojë më në fund se komuniteti artistik po e pret. Unë doja teatër që kur isha i ri dhe hyra për herë të parë në teatër dhe tani po dal në pension dhe nuk e shoh që po hidhen themelet. Atje do bëhet një mrekulli dhe kam besim të plotë. Si ky shesh në fakt duhet të ketë Tirana disa të tjerë. Vendet e hapura janë zanafilla e teatrit”.
Kur pyetet nëse ka ndonjë peng, duke qenë se skena e re në shesh është pak metra nga ku ka qenë Teatri Kombëtar, Imami, thotë: Absolutisht. Duhet të fillojë patjetër, unë kam qenë ndër të parët që kam kërkuar teatër dinjitoz. Se ajo godinë që ishte na nderonte ne, për punën që bëni, por si godinë ishte e degraduar dhe ishte e turpshme. Ky është pengu, që duhet në nisë puna sa më shpejt”, thotë Artan Imami.