Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka mohuar të ketë lidhje të ngushta me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe ka hedhur poshtë sugjerimet se vendi i tij është një ‘kalë troje’ për Moskën.

Duke folur në konferencën e sigurisë GLOBESEC në Pragë, Vuçiç tha se nuk ishte takuar apo folur me Putinin në më shumë se dy vjet që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

“Po, ne kemi tradicionalisht lidhje shumë të mira dhe nuk po e fshehim. Dhe nuk më vjen turp për këtë me Rusinë. Ka qenë gjithmonë rasti mes serbëve dhe rusëve dhe ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk kemi vendosur sanksione kundër Rusisë dhe siç mund ta shihni, nuk kam frikë ta them hapur”, tha ai.

“Askush në Evropë nuk është dakord me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë pozicionin tim.”

Vuçiç pranoi se Serbia deri më tani kishte rezistuar që të binte në përputhje me pjesën tjetër të Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por tha se Beogradi e kishte dënuar vazhdimisht pushtimin e Ukrainës në platformat ndërkombëtare si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Serbia dhe Turqia janë të vetmet vende kandidate për në BE që kanë refuzuar të vendosin sanksione.

Vuçiç tha se kishte pasur një bisedë “të shkëlqyer” me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por pranoi se nuk ka gjasa që Serbia të bëhet një vend anëtar i BE-së deri në vitin 2028, datë në të cilën disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë t’i bashkohen bllokut.

“Nuk besoj se do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2028, sepse ka shumë çështje. Para së gjithash, këtu kemi një interes të Bashkimit Evropian, të cilat herë pas here ndryshojnë nga interesat tona. Dhe unë besoj se nëse disa prej nesh mund të bëhen anëtarë të BE-së, kjo nuk mund të ndodhë përpara vitit 2030. Por ky është vetëm vlerësimi im”, tha ai.

Serbia, e cila u bë një vend kandidat për në BE në vitin 2012, ka bërë pak përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave demokratike, të cilat janë parakushtet kryesore për anëtarësimin në bllokun 27-vendesh.

Beogradi gjithashtu duhet t’i përafrojë politikat e tij të jashtme me ato të BE-së, dhe kjo do të përfshinte sanksione ndaj Rusisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb