Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka rrëfyer në “Dritare me Rudinën” në News24 si e mori vendimin për t’u bërë ministre. Denaj shprehet se nuk ishte nga ato vendimet si një punë tipike, por sipas saj do të kontribuojë personalisht dhe profesionalisht me eksperiencën e saj.

E pyetur nga gazetarja, Rudina Xhunga se, ku e gjen më shumë veten në ekonomi apo financë, Denaj është shprehur se, nuk mund t’i ndajë dy degët.

Rudina Xhunga: Si e more vendimin për t’u bërë ministre financash, u mendove?
Anila Denaj: Nuk kisha kohë! Nuk ishte nga ato vendimet si një pune tipike. Megjithatë është një angazhim profesional, në radhë të parë, por edhe personal për të kontribuar me eksperiencën time, karakterin, sado të mundem.

Rudina Xhunga: Ku është më shumë ngacmimi, në financë, apo ekonomi? Ku kërkohet më shumë prezenca e ministres.

Anila Denaj: Unë mendoj që në ekonomi për disa arsye, se aty po bëjmë diskutime për rimodelimin e formatit, por jo vetëm, por nuk mund ta ndaj edhe në financë, sepse ka çështje që diskutohen, debatohen. Por strukturat janë të vendosura. U bë prej disa vjetësh që ka edhe mendime të donatorëve të ndryshëm të Bankës Botërore, PE, të cilët kanë ndihmuar Ministrinë e Financave, në veçanti të implementojë sisteme të cilat do të na ndihmojnë të marrim vendime më të mira nesër për buxhetimin apo analiza të caktuara fiskale. Dhe përsa kohë që pjesa e parë është bërë, ti synon të fokusohesh tek ato pjesë që janë akoma në zhvillim.

Së bashku me zëvendësministren, që ndjek çështje ekonomike, jemi duke parë edhe mënyrën si mund të rikonstruktojmë Aidën, si një agjenci që të ndihmojë edhe investitorët e huaj, për të ardhur në Shqipëri dhe për ta njohur më mirë, potencialin e vendit. Kështu që nuk mund të themi se është e ndarë me thikë, për arsye që ndoshta lidhen edhe me disa procese, që ishin duke u finalizuar. Unë kam marrë pjesë në shumë aktivitete të zyrave të punës dhe kjo i tregon një pjesë tjetër të ministrisë sime, se është shumë madhe. Te ministria e Punës ka një portofol të madh aktivitetesh të cilat janë shumë të rëndësishme për t’u ndjekur dhe ku impakti dhe rezultati është shumë i prekshëm. Dhe në fakt është ai rezultati final që duam të marrim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb