Lista e bërë publike nga Sylvinho bëri jo pak zhurmë, ku ajo që ra në sy ishte mungesa e disa legjionarëve “big”, lojtarë si Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni apo Keidi Bare. Ashtu siç pritej diskutimi ishte i madh mbi zgjedhjet e trajnerit, do të ishte i njëjtë edhe nëse linte jashtë lojtarë të tjerë, por diskutimi ishte më i madh, mbi të gjitha për Sokol Cikalleshin, një lojtar që me Sylvinho-n në stol kishte luajtur 7 nga 8 ndeshje si titullar. Astrit Hafizi, ish trajneri i Kombëtares, në një intervistë për News24, theksoi se me Cikalleshin nuk kishte pastërti, ndërsa për Uzunin nuk u mërzit shumë pasi është një lojtar i ri dhe do të rikthehet sërish në Kombëtare:

“Shyqyr që ia arritëm kësaj dite që të këtë surpriza, sepse, ndonjëherë, në Kombëtare dihej se kush do të vite, flas këtu shumë vite përpara. Tani, kemi një bollëk lojtarësh, të cilët trajneri i zgjedh sipas situatave. Unë mendoj që ndoshta, argumentet, apo justifikimet që kanë pasur për ndonjë lojtar nuk kanë qenë bindëse, si në rastin e Cikalleshit që nuk e kuptova qartë se pse nuk është grumbulluar. Mbase për Cikalleshin është çështje moshe, pasi çdo fillim e ka një fund, por lojtarë të tipit Cikalleshi duhen trajtuar ndryshe. Këto vitet e fundit, 10-15 vitet e fundit, lojtarë të kësaj moshe nuk janë trajtuar si duhet në Kombëtare. Ato kanë detyrimin minimal për t’i treguar arsyet, duhen shpjeguar vendimet. Në fakt, kjo nuk është bërë me Cikalleshin, duke e detyruar të largohet nga Kombëtarja. Nuk ka një pastërti komunikimi me lojtarë të tipit Cikalleshi”.

Me Cikalleshin jashtë, Hafizi mendon se tani do të jetë Armando Broja qendra e sulmit, gjithçka do të rrotullohet rreth tij:

“Vetë zgjedhjet të çojnë në një pikë, edhe pse këtë e di më mirë Sylvinho. Unë mendoj se për sa kohë u bë kjo lëvizje, Broja do të jetë pika kryesore, rreth këtij lojtari do të rrotullohen gjërat në sulm”.

Ndryshe nga Cikalleshi, Hafizi mendon se për Uzunin diskutimi është ndryshe, është i ri dhe mund të rikthehet sërish në Kombëtare, që në shtator, për Ligën e Kombeve:

“Unë nuk mërzitem shumë për Uzunin dhe Baren. Dëshirë kisha që Uzuni të ishte në Kombëtare, për atë që ka dhënë, por do vijë sërish, nuk i ka kaluar mosha. Këtu janë zgjedhje që as unë nuk i mora vesh, por Uzuni do të kthehet prapë, nuk ka arsye pse të mërzitet. Unë mendoj që këto janë zgjedhje të momentit, por për Cikalleshin diskutimi ishte ndryshe”.

Ish trajneri i Kombëtares nuk është dakord as për lënien jashtë të Keidi Bares, për më tepër që zëvendësuesi i tij është një lojtar si Abrashi, zgjedhje që e ka të vështirë t’i arsyetojë:

“Edhe këtu kishte pak kontradiktë. Arsyeja ishte, na duhet një lojtar që ka shpirt, që ka zemër, një lojtar që lufton, që ka dhënë, por Abrashi ka shumë që nuk është ftuar. Edhe Cikalleshi ka zemër, ka shpirt, ka dhënë shumë, të dy lojtarët kanë të njëjtën moshë, pra ka një arsye tjetër pse Cikalleshin nuk e kanë marrë dhe Abrashin po, duke parë që është në mesfushë ka shumë lojtarë si Asllani, Ramadani, Laçi etj. Nuk e di, nuk gjej dot një shpjegim, vetëm Sylvinho e di”

Pavarësisht emrave dhe listës, Hafizi theksoi se Sylvinho nuk duhet paragjykuar, pasi zgjedhjet janë ekskluzive të trajnerit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb