Policia e Shtetit vijon operacionin në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 3 raste, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. 3 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy tavolina pokeri, një valixhe me çipsa, katër aparaturura, një njësi kompjuterike dhe dy paisje elektronike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi F. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit të tij u gjetën dy tavolina pokeri dhe një valixhe me çipsa.

Në Elbasan u procedua penalisht shtetasi M. A., 26 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua duke ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale iu bllokuan katër aparatura dhe një njësi kompjuterike të cilat përdoreshin për lojëra fati.

Në Vlorë u procedua penalisht shtetasi R. S., 25 vjeç, pasi në lokalin e tij iu gjetën dy paisje kompjuterike pa dokumentacion të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.

Policia deklaron se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb