Gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj, flet pas shoqërimit për një orë nga policia, pasi filmoi një aksion policor.

Gazetarët Gjençaj dhe Klodiana Lala u ndodhën rastësisht në aksionin policor te “Varri i Bamit”, kur një makinë tentoi të marrë para efektivët, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar. Duke filmuar këtë skenë, gazetari Gjençaj u shtri në tokë nga policia, të cilët e kanë kontrolluar dhe i kanë marrë celularin.

Duke folur nga vendngjarja, pasi është lënë i lirë, gazetari Gjençaj tha se kjo situatë nuk i ka ndodhur kurrë më parë, ndërsa shtoi se ashtu siç policia po bënte detyrën e saj për të goditur krimin, edhe ai si gazetar po bënte punën e tij.

“Ne po drejtoheshim drejt redaksisë për të vijuar punën tonë, kur policia na ndali. Misioni ynë është për të përcjellë lajmin, qoftë me mjetet tona celularë, për të kapur momentin aty ku ndodhet lajmi, dhe këtë bëra edhe unë. Ishte një operacion i policisë, makina ishte në lëvizje, unë nxora celularin tim për të bërë video, sepse jemi në rrugë, është ambient publik, nuk po cënoja privatësinë e askujt.


Unë dola nga makina për të vijuar regjistrimin me celularë, kur disa policë më morën, më shtrinë barkas aty për të më kontrolluar, më morën celularin dhe më lanë aty të shkallët. I thashë që jam gazetar. Më pyetën ku punoj, prej sa kohësh. Më morën celularin dhe më lanë të prisja aty deri tani.

Më dhanë shpjegime, sepse sipas tyre, unë ndërhyra në aksionin e policisë. Unë nuk e di ku është ndërhyrja ime, kur isha në makinën e loguar të News24. Isha në largësi kur po kryhej operacioni, nuk isha afër që të kisha kontakte me forcat e policisë. Unë bëra punën time dhe besoj se çdo koleg do ta bënte. Ky është një moment delikat, nuk më kishte ndodhur ndonjëherë. Unë do ta vlerësoj këtë moment, misioni ynë është të kapim lajmin. Kjo gjë nuk ndodh çdo ditë në rrugët e vendit, sigurisht që policia ka detyrimin të godasë krimin, por edhe ne kemi detyrën tonë”, tha gazetari Ergys Gjençaj, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb