Deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku ka qenë në Strasburg në manifestimin e demokratëve para Parlamentit Europian. Ndonëse nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e grupit parlamentar, ai tha se i është bashkuar dhe në këtë fushatë sensibilizuese.
Çollaku tha se pavarësisht dallimeve, ajo që bashkon çdo opozitar është nevoja akute për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pranuara.
“Unë i jam bashkuar kolegëve demokratë të grupit parlamentar. Do ta specifikoja, nuk është një protestë, është një fushatë sensibilizuese, një lloj diplomacie atipike në PE, në takime të shumta sot e nesër. Në një përpjekje për të komunikuar me grupet politike në PE sepse mendoj pavarësisht çdo lloj dallimi apo ndryshimi bindjesh që mund të kemi një gjë na bashkon, çdo opozitar është nevoja akute për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pranuara. Ne kemi një kalvar zgjedhjesh në të kaluarën të kontestuara. Jemi 6 muaj larg zgjedhjeve. Sot Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat me BE. Këtu jemi për të sensibilizuar për degradimin e situatës në vend dhe nevojën që të rriten prozhektorët e partnerëve ndërkombëtarë tek anormalitetet politike.
Kryeministri ka premtuar se do të ketë 3/5 e parlamentit, ky është standard për Bjellorusinë”, tha Çollaku.