TIRANË
Kryeministri Edi Rama tha se plani i rritjes së BE nuk është vetëm një instrument financiar. Në konferencën me ministrin e jashtëm hungarez dhe komisionerin Oliver Varhelyi, nga Luksemburgu, Rama tha se Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë këto 10 vite.
“Kur hyra në këto korridore një dekadë më parë, flokët e mi kishin shumë më tepër ngjyra. Dhjetë vite kanë qenë një rrugë e gjatë dhe kur mendoj që gjatë këtyre 10 viteve Shqipëria ka dyfishuar PBB-në e saj, thuajse ka trefishuar pagën e vet minimale, ka dyfishuar pagën mesatare në sektorin publik. Ka ulur borxhin nën 60%.
Ka rritur investimet e huaja direkt, është shndërruar në destinacionin më në modë dhe më intensiv të turizmit në Evropë; që ka pasur rritjen më të madhe në udhëtimeve në aeroporte duke kaluar nga një shifër prej 1 mln turistësh në vit, në më shumë se 10 mln tanimë; dhe kur shoh që në procesin e integrimit kemi ndryshuar kaq shumë gjëra së bashku me komisionerin Varhelyi dhe komisioneren Von Der Leyen sepse hymë në një dinamikë të re dialogu dhe mirëkuptimi me njeri-tjetrin që nuk mund të jetë o asgjë o gjithçka në fund, por duhet të jetë diçka midis kësaj dhe siç e thashë dhe Putini na ndihmoi”, tha Rama.
Ai theksoi se kemi tashmë shumë gjëra të reja të cilat nuk ishin kështu për vende të tjera kur u përpoqën të bëheshin anëtare të BE. “Plani i rritjes është pjesë e kësaj. Nuk është vetëm instrument financiar, por ka të bëjë dhe me integrimin në tregun e përbashkët europian. Vetëm të qenit pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, do të thotë dhjetëra miliona euro të kursyera”, tha Rama.