Presidenti i Unionit të Integrimit të të Burgosurve Politikë Besim Ndregjoni ka deklaruar në studion e News24, se ajo që ndodhi ditën e djeshme në Kuvend në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ishte kthim i Kuvendit dekada pas, në kohën e diktaturës.

Ndregjoni u shpreh se Unioni nuk do të qendrojë indiferent ndaj asaj që e quajti një katastrofë, ndërsa shtoi se hapi i radhës do të jetë ndjekja e çështjes në Gjykatën Kushtetuese e deri në Strasburg.

“Ishte një seancë e turpshme, një Kuvend që do t’ia kishte lakmi kuvendi i komunizmit. Nuk mund ta imagjinosh pas 34 vitesh që në një vend që promovon demokraci pa vlera, e kthen politikën në totalitare, sunduese dhe imponuese, me të cilën të detyrojë qytetarët të votojnë siç do partia.

Eliminimi i votës së lirë është diktaturë.

Nuk mund të ndërtohet parajsa me muratorë të ferrit. Nuk mund të ndërtohet demokracia me komunistë.Po të shkatërrosh votën e lirë ti nuk jem më shtet i së drejtës.

Ne si Union nuk do të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj masakre, do ta dërgojmë në Kushtetuese, madje deri në Strasburg”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb