Analistë, profesorë dhe politikanë kanë diskutuar në studion e emisionit “Real Story” në lidhje me letrat që kryetari i opozitës Lulzim Basha iu ka bërë bankave, që ata të jenë të kujdesshme dhe të mos pranojnë para të dyshimta të partneritetit me privatin, pasi ka dyshime për afera korruptive.

Eksperti Adrian Civili shprehet se gjuha e përdorur nga kryetari i PD Lulzim Basha vë me shpatulla pas murit biznesin. Ndërsa, ish-ministri i Financve Arben Malaj po ashtu mendon se logjika e Bashës është e gabuar nga ana ekonomike, pasi sistemi bankar nuk mund të trajtohet si treg domatesh.

Arben Malaj: Sistemi bankar nuk është treg domatesh. Një letër i drejtpërdrejtë e liderit të opozitës ndaj bankave nuk i shkon një lideri aq më tepër një kryetari të opozitës së bashkuar, që është edhe e djathtë. Kjo sepse bankat kontrollohen nga Banka e Shqipërisë. Unë nuk i quaj PPP por i shtoj dhe një “P” tjetër: Partnerit Publik-Privat i Preferuar. U ndjeva keq kur pashë që letra i ishte drejtuar dhe Guvernatorit.

Dorian Teliti: Nuk është shqetësim që doli sot. Ne kemi vite që i bëjmë thirrje Guvernatorit, që i bëjmë thirrje Bankave, nuk është letër si rrufe në qiell të hapur.

Arben Malaj: Tani unë s’kam ardhur këtu të dëgjoj të njëjtat gjëra. Unë s’kam qenë sekretar i Përgjithshëm kur janë bërë marrëveshje të këtij lloji. Unë dua të merrem me aspektin profesional.

Mateo Spaho: Një bankë është vështirë shumë që të financojë vetëm një rrugë si në Balldren, në Orikum etj. problemi këtu është se mungojnë shifrat. Brenda siglës PPP vendosen shumë praktika duke hapur pikëpyetje, duke mos publikuar shifra, cilësinë e punimeve dhe ndaj lindin dyshime. Prandaj, mendoj se duhet debat publik që të marrim shifrat dhe të bëhet transparencë. Pra vetëm transparenca mungon.

Adrian Civici: Dakord me shqetësimin. Por si ka mundësi që t’iu bësh thirrje bankave? Pra çfarë iu kërkohet bankave? Normalisht ata që fitojnë PPP ka edhe spekulantë, por nuk mund të thuash që bëhen me paratë e drogës etj. Mënyra si thuhet godet korporatat dhe biznesin shqiptar. Është tjetër gjë si bëhet PPP dhe tjetër biznesi dhe i kërkon bankave të luajnë gjyqtarin. Nuk e kuptoj çfarë iu kërkohet bankave. Unë e njoh mjaft mirë Bankën e Shqipërisë dhe funksionon shumë mirë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb