Situata politike në vend nuk është e papritur. ZGJIDHJA e kishte parashikuar këtë që do të ndodhte që dy vite më parë. Ajo kishte mbështetur protestën e PD-së për ‘Republikën e Re’, kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare pa qeverinë e Edi Ramës dhe një reformim të thellë të procesit zgjedhor, ku të mos ndodhte më që populli voton dhe partitokracia numëron votat. PD-ja i tradhëtoi këto kauza me pazaret në tavolinë.


Tani jemi rikthyer dy vite pas. PS-PD-LSI po kacafyten jo për t’i kthyer pushtetin popullit, por për pushtetin, interesat dhe amnistimin e krimeve të tyre. Pasojat e përleshjes së tyre nuk do t’i vuajë askush më shumë se sa vendi dhe populli.


Faktori ndërkombëtar pritet që të ndërhyjë sërish për t’i pajtuar në tavolinë, që ata t’i bëjnë lëshime, t’i japin garanci, imunitet, alternim dhe përjetësi në pushtet njëri-tjetrit. Kjo nuk i duhet askujt përveç mafies së tri partive.


Kriza të tilla kemi parë mjaftueshëm këto dy dekadat e fundit. Ndërkombëtarët, në emër të stabilitetit, kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë rrënimit të shtetit ligjor dhe vlerave demokratike, kanë mbështetur qeveritë dhe partitë, duke braktisur popullin shqiptar.

Kjo nuk duhet përsëritur në vitin 2019. Një stabilitet fals për të garantuar paktin e tri partive vetëm sa e zgjat agoninë e Shqipërisë, shton radhët e shqiptarëve që braktisin vendin, rrënon shpresat për hapjen e negociatave me BE-në dhe e mban Shqipërinë në një gjendje ku eksplozioni social mund të ndodhë nga momenti në moment.

Nuk na duhet as një ‘Crocodile’. Nuk na duhet më një dërgatë europiane, një marrëveshje ‘Mac+’ dhe një 17-18 maj tjetër. Shqipërisë i duhet sot një reformim i thellë i sistemit politik si në demokracitë perëndimore dhe jo shpikje për një vend të botës së tretë ku vihet paqe mes tribuve në luftë për territore dhe pasuri. Të tilla kemi parë që nga marrëveshja e Triestes në vitin 1997. Sot kemi të njëjtat parti që mbajnë peng vendin për interesat e tyre politike dhe ekonomike.

ZGJIDHJA kërkon nga ndërkombëtarët që të mos vijnë këtu me misionin dhe kostumin e zjarrfikësve. Ata mund ta shuajnë flakët e momentit, por kështu nuk mund të ndalin rrënimin e Shqipërisë. Ata duhet të vijnë këtu si bartës dhe mbrojtës të vlerave europiane. Duhet të imponojnë me forcë, siç bënë me reformën në drejtësi, reformën elektorale bazuar në standardet dhe vlerat e një republike të vërtetë demokratike. Duhet të ndjejnë peshën e fajit sepse në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër demokratik, tri parti kanë në dorë procesin zgjedhor dhe ia kanë hequr popullit çdo të drejtë, kur vendet e Europës tashmë duan që gjithçka të ketë miratimin referendar, me votë direkte nga populli. Nëse nuk vijnë me këtë mision, më mirë të mos mundohen. Por të mos harrojnë se fiks 22 vite më parë, sollën mijëra forca paqeruajtëse për të mbrojtur dhe ushqyer me ndihma humanitare popullin shqiptar, që ishte çuar në krizë dhe anarki nga këto parti dhe nga kjo klasë politike. #ZgjidhjaPërShqipërinë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb