Pezullohen punimet në aeroportin e Vlorës.
Shkak duket se është bërë bllokimi i kantierit nga punonjësit, të cilët po protestojnë në lidhje me pagat.
“Ta dinë të qartë se si është situata. Le ta dinë që punonjësit nuk vijnë në punë”, dëgjohet të thotë njëri prej tyre.
Protesta është zhvilluar herët në mëngjes, ndërsa punonjësit janë takuar me përgjegjësit e firmës.
Mësohet se është premtuar që pagat do të kalojnë deri ditën e premte, dhe nëse kjo nuk ndodh, punonjësi kanë paralajmëruar për tjetër protestë dhe pezullim të punimeve.
Ndërkohë mbi ngjarjen ka reaguar edhe Aeroporti i Vlorës. duke u shprehur se mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specifik dhe një grup të vogël punonjësish të tij.
Ndërkohë theksohet se projekti i Aeroportit të Vlorës do të vazhdojë të ecë përpara sipas planit dhe vijon angazhimi për përfundimin e tij në kohë.
“Në përgjigje të artikullit të publikuar së fundmi me titullin “Nuk na japin rrogat”/ Pezullohen punimet në aeroportin e Vlorës, punonjësit bllokojnë kantierin, dëshirojmë të sqarojmë dhe të informojmë publikun për situatën e vërtetë në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës po vijojnë plotësisht në normalitet dhe nuk ka pasur asnjë pezullim të tyre. Projekti vazhdon sipas planeve dhe afateve të
përcaktuara, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës.
Disa mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specifik dhe një grup të vogël punonjësish të tij, të cilët kanë shprehur ca shqetësime në lidhje me pagat e tyre. Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në
kantierin e aeroportit.
Ne sigurojmë publikun dhe të gjithë aktorët e përfshirë që projekti i Aeroportit të Vlorës do të vazhdojë të ecë përpara sipas planit dhe që ne jemi të angazhuar për përfundimin e tij në kohë dhe në përputhje me standardet më të larta”, thuhet në reagim.