TIRANE- Aksioni i qeverisë për energjinë elektrike, nuk është mjaftuar vetëm me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme apo me ndërprerjen e energjisë për debitorët. Akti më i fundit është shkarkimi i 131 punonjësve të burgjeve nga Ministri i Drejtësisë, të cilët nuk paguanin energjinë elektrike. Mësohet se këta persona, ishin debitorët më të mëdhenj të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Burime nga Ministria bëjnë me dije se verifikimi është bërë pas një urdhri të kryeministrit Edi Rama.


 


Ministria e Drejtësisë bëri me dije se vlera e faturave të papaguara nga këta 131 punonjës shkon deri në 23 milionë lekë dhe periudha e mospagimit shkonte deri në 13 vjet. Po sipas MD-së rezultojnë debitor 650 punonjës të policisë së burgjeve.


 

“Nisur nga nisma e OSHEE për të kryer verifikimin e të gjithë qytetarëve në raport me pagesën e energjisë elektrike, si dhe bazuar në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, për marrjen e masave ndaj shkelësve të ligjit për mosshlyerje të detyrimeve të energjisë elektrike në sistemin e burgjeve, D.P.e Burgjeve ka ngritur menjëherë një grup pune për të kryer verifikimin e të gjithë punonjësve në sistem dhe ka nxjerr rezultatet e mëposhtme: Nga verifikimet e deritanishme 650 punonjës të policisë së burgjeve rezultojnë të jenë debitorë të energjisë elektrike, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin Penal. Për të mos rrezikuar në asnjë moment sigurinë në Institucionet e Vuajtjes së Vendimeve Penale, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka urdhëruar marrjen e masës së largimit nga detyra për 131 punonjës, të cilët rezultonin me detyrimet më të mëdha në mospagesën e energjisë elektrike, në shuma që shkojnë deri në 23 milionë lekë, për një periudhë deri në 13 vjet”, thuhet në deklaratë.

Aksioni do të vazhdojë edhe më tej, me stafin civil të burgjeve dhe do të konkretizohet në marrjen e masave përkatëse për këdo që ka shkelur Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, shton ndër të tjera MD.

 

RAMA
Duket se këtë vendim e ka “pagëzuar” edhe kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet një statusi në Facebook thotë se askush që abuzon me energjinë nuk mund të marrë rrogën me lekët e taksave.

“Kush abuzon me energjinë s’mund të marrë rroga me lekët e taksave! Të punosh në shtet d.m.th të jesh shembull në pagesën e dritave, ujit, taksave”, thotë ai.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)