Bashkia e Tiranës veproi me zgjuarsi mëngjesin e datës 12 maj, pas protestës së dhunshme të 11 majit, kur, pasi i hoqi kazanët e plehrave të djegur një natë më parë në disa rrugë kryesore të Tiranës(tek Kisha Katolike ngjitur me ish-hotel Dajtin dhe tek rruga e Drejtorisë së Policisë së Tiranës), nuk i zëvendësoi ato me të tjerë të rinj. Ndërkohë i hoqi edhe kazanët e padjegur nga rrugë të tjera kryesore ku kalon zakonisht protesta. Protestës së opozitës natën i mungoi kështu parmbrëmë një dekor i rëndësishëm për të dhënë idenë e kiametit që po ndodh tek ne. Shpresoj që bashkia është nisur jo vetëm dhe thjesht për vlerën monetare të kazanëve të plehrave që digjen, por, sepse dëmi në imazhin e vendit tonë nga pamjet e kazanëve në flakë natën, që qarkulluan në të gjithë botën një natë më parë, është me miliona herë më shumë se çmimi i kazanëve. Pamjet filmike nga ekrani i televizionit me kazanët në flakë të krijonin përshtypjen e gabuar se mbarë vendi ynë ishte në flakë. Jo! Ne nuk jemi në flakë! Megjithatë, mbrëmjen e së shtunës 11 maj dhe gjatë gjithë ditës së diel 12 maj, morëm me dhjetëra mijëra telefonata të emigrantëve tanë nga SHBA, Kanadaja, por edhe nga Italia e Greqia, të shqetësuar për jetën e të afërmve të tyre në Tiranë. Dhe kur shqetësohen qytetarët tanë të emigruar, ç’duhet të mendojnë të huajt se po ndodh tek ne? Është katastrofë të krijohet imazhi(edhe pse i gënjeshtërt në pjesën më të madhe të tij) se jemi një vend në prag të luftës civile mes opozitës në rrugë dhe pushtetit.


Dhe të huajt janë në të drejtën e tyre t’u besojnë pamjeve nga kamerat televizive, jo fjalëve qetësuese. Me kazanët e djegur, shashkat dhe bombat molotov të hedhura, ekonomia jonë mund “të digjet” dhe pa u shkatërruar dhe djegur qoftë edhe një ndërmarrje, fabrikë apo dyqan i vetëm! Mund të pyesë çdo qytetar: ”Ç’punë kanë protestat e opozitës me ekonominë tonë, kur nuk dëmtohen fizikisht ndërmarrjet, fabrikat dhe dyqanet?”. “Po!”, kanë, është përgjigjja. Kanë me të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, në thesin e të gjithëve. Nga kjo klimë e idhët, e tensionuar dhe e pasigurtë, e gatshme të shpërthejë në konflikt të fortë, familjet shpenzojnë më pak. Çdo qytetar frenohet përpara se sa të bëjë diçka të re në shtëpinë e tij, apo të udhëtojë diku, duke parë protestat e dhunshme gati të përditshme. Bizneset investojnë më pak. Të huajt sipërmarrës që planifikonin të rrezikonin kapitalet e tyre këtu nuk vijnë më. Ose presin për ditë më të qeta. Vetëm për periudhën shkurt-prill 2019, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), taksë që mat pulsin e konsumit të një vendi, janë afro 9 milionë euro më pak, nga të dhëna ende jo zyrtare. Në fund të vitit 2019, të ardhurat nga kjo taksë që është boshti i parave shtetërore mund të bien me dhjetëra milionë euro më pak. Me këtë ritëm dhe me protesta të tilla të dhunshme në gjysmën e dytë të majit dhe në gjithë qershorin, ritmi i rritjes së ekonomisë sonë mund edhe të përgjysmohet. Dhe kjo është e rëndë. Është e rëndë që në vend të rritemi ekonomikisht me 4 për qind, kjo rritje mund të na përgjysmohet. Kjo do të thotë mbi 200 milionë euro më pak (prodhimi ynë i përgjithshëm bruto i vendit është diçka mbi 10 miliardë euro ne vit).


Do të kemi me dhjetëra deri edhe qindra milionë euro më pak në të ardhurat nga turistët e huaj, pse janë me qindra e mund të bëhen me mijëra pronotimet e tyre për këtë sezon veror që kanë nisur të kthehen mbrapsht. Pse një i huaj me familjen shpenzon mesatarisht në Shqipëri 1-3 mijë euro, nëse qëndron 5 ose 15 ditë. Janë me dhjetëra mijëra e ndoshta më shumë të huajt që kishin vendosur të vinin këtu, por që flakëhedhëset, bombat molotov mbi shkallët e Kryeministrisë, në hyrjen e Parlamentit apo në oborrin e drejtorisë së policisë së kryeqytetit po i bëjnë të mendohen të vendosin ndryshe. Dhe nëse protestat do të vijojnë, sigurisht që këta të huaj do t’u thonë jo pushimeve në Shqipëri, me gjithë dëshirën për t’i bërë. Për një ekonomi si kjo e jona, e varur fort nga të ardhurat nga turimi, kjo do të përbëjë një goditje mizore. Për fat të keq, asnjë nuk po e ngre zërin fort nga shumë ekonomistë të zotë që kemi. Kur duhet të jenë ata që duhet të kenë guximin dhe nismën, përse jo, të dalin qoftë dhe një herë të vetme në bulevardin “4 Dëshmorët” në Tiranë me pankarta “Mos e digjni ekonominë tonë!”. Apo, përse jo, edhe në qendrat e qyteteve tona turistike. Pse janë ata që e kuptojnë fare mirë koston e papërballueshme të djegieve sot, mbi gjasat për vende të reja pune sot dhe nesër.