Analisti Genc Burimi përmes një analize shteruese “zbërthen” kritikat në adresë të presidentit francez, Emmanuel Macron pas vendimit personal të këtij të fundit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare. Zgjedhjet e Parlamentit Europian të 9 qershorit, “tronditën” themelet e Elizesë. Macron pa humbur kohë vendosi të çojë Francën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pak pasi mësoi rezultatin dërrmues të forcës së tij politike.

Mirëpo, vendimi i Macron duket se nuk gëzon mbështetjen e gjerë në radhët e partisë së tij.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojnë zgjedhjet me dy raunde, 30 qershor dhe 7 korrik (pak para Lojërave Olimpike në Paris) për pozitat politike të presidentit francez dhe rrezikut në rritje ndaj pushtetit të tij nga liderja e ekstremit të djathtë, fituese e zgjedhjeve europiane, Le Pen.

Analiza e plotë

Mbështetësit e kreut të shtetit francez ende nuk po arrijnë ta përtypin shpërbërjen e befasishme që Macron i bëri Parlamentit duke e zhytur Francën në shtigjet e të panjohurës.

Disa në rrethin e tij të afërt shprehen tani pa komplekse se kanë vendosur biles të kthejnë faqen e makronizmit. Një atmosferë pesimiste “fundi mbretërimi” ndihet ne Pallatin e Elizesë si dhe në radhët e “Makronistave” sipas shtypit francez.

Në rreshtat në vazhdim mund të shihet një autopsi sa realiste aq dhe e frikshme që e përditshmja me e vjetër franceze “Le Figaro” i bën kesaj situate “traumatike” që ka shkaktuar në mbarë Francën vendimi personal i Presidentit të Republikës për zgjedhje të parakohshme legjislative fill para Lojërave olimpike.

Analiza e mëposhtme bëhet edhe më pikante kur ajo bazohet tek këndveshtrimi i “shokëve” më të ngushtë të Makronit, ata të “rrethit të parë” që e sollën në pushtet dhe që mediat franceze i patën pagëzuar me emrin “Mormonët”, domethënë “sekti i Makronit”.

Shkrimi në Figaro:

Kundërshtarët e atyre që sollën Makron në pushtet më 2017 vazhdojnë vite më vonë t’u vënë nofkën “Mormonët”. Këta përbënin rrethin më të ngushtë të Emanuel Makron në 2017, dhe qenë arkitektët e fitores së tij të papritur si President. Ishin “ushtarë” të devotshëm që ia përkushtuan trupin dhe shpirtin liderit të tyre.

Por që edhe u shpërblyen mirë gjatë mandatit të parë të Makronit kur hynë në kabinete në Elize apo në ministri të ndryshme.

Vitet e fundit një pjesë e mirë e tyre i janë larguar politikës për t’u angazhuar në sektorin privat.

Sot, këta mbështetës të eposit origjinal makronist vëzhgojnë nga larg tërmetin e shkaktuar nga presidenti “i tyre” me vendimin e tij për të shpërndarë Parlamentin.

Dhe si shumë francezë të tjerë, ata luhaten mes hutimit dhe moskuptimit.

“Nuk është më ai Makroni që kam njohur më parë” rrëfehet me ton alarmant një prej këtyre besnikëve.

Unë mund ta kuptoj mekanikën intelektuale të Makronit që e shtyu të shpërndajë parlamentin duke e shpjeguar me sikletin që ndjente që s’i kishte duart totalisht të lira për të drejtuar Francën me një mazjorancë jo absolute. Por që ta merrte këtë vendim radikal bash tani, në prag të Lojërave Olimpike, këtë s’mund ta kuptoj.

Ky vendim krijon një rrëmujë monstruoze ne vend dhe u ofron një tribunë ekstremeve”.

Një tjetër besnik i orëve të para është edhe më kritik: “Për mua, kjo shpjegohet vetëm me aspektin psikologjik të Makronit si çelësi i vetëm për një lexim koherent të vendimit që mori.

Mbaj mend se mos fitorja e një shumice absolute në zgjedhjet legjisative të 2022 e futi gjashtë muaj në depresion. Dhe shuplaka e madhe që morri tani në zgjedhjet evropiane i shkaktoi një elekroshok brutal.

Nëse i humb sërish këto zgjedhje të parakohshme që i provokoi vetë, Zoti e di se çfarë mund t’i ndodhë”.

Një zë i tretë në kampin e besnikëve nuk e fsheh se ka marrë një sërë mesazhesh nga shumë makronista të tjerë të gjithë në panik: “Shqetësimet në radhët tona janë të shumta, të shprehura në mënyrë të hapur dhe në thelb gjerësisht përbashkëta”. Në të vërtetë në peisazhin politik francez, kampi presidencial është ai që ndjeu më shumë dhe me më dhimbje tronditjen e shpërndarjes së Parlamentit.

Edhe një javë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme traumatizmi është ende i pranishëm te.

Kur disfata e 9 qershorit në zgjedhjet europiane s’duhej të ishte veçse një mbrëmje e dhimbshme elektorale por që do harrohej shpejt, ajo po kthehet tani në një ngjarje historike që po e fut Francën në një epokë komplet tjetër. Biles atë mbrëmje të 9 qershorit kur filluan të qarkullonin zëra se Presidenti do të shpërndante parlamentin pakkush e morri seriozisht.

“Nuk e besoj, ja fusin kot, do të ishte vetëvrasje për kampin tonë”, thoshte biles Sekretarja e Shtetit , Sabrina Agresti-Roubache, kur dëgjoi për këtë thashetheme pak pas orës 20:00 të datës 9 qershor kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve europiane.

Në të njëjtën moment, Presidenti hyri në kontakt me Kryetarin e Senatit Zherar Larshe për të kryer një “konsultim” me të siç e parashikon Kushtetuta në rast shpërndarje parlamenti.

Veçse telefonata midis dy kokave të Shtetit francez zgjati tre minuta.

Kryetari i Senatit ia ktheu me ironi Makronit: “Këtë quani konsultim ju? Me telefon?” duke i treguar kështu se nuk ështe serioze kjo mënyre marrje vendimesh kaq serioze.

Inati me ata që këshilluan Makronin

Shokimi tek militantët e kampit të Makronit vazhdoi kur ata panë në shtyp fotografitë e çastit kur presidenti po shpjegonte vendimin që sapo kishte marrë përballë drejtuesve kryesorë të mazhorancës dhe ministrave të thirrur urgjentisht në Pallatin e Elizesë atë mbrëmje të 9 qershorit.

Fotot u postuan nga vetë fotografja zyrtare e presidencës franceze Soazig de la Moissonnière. Veçse në ato fotografi të bëra prej saj gjithë opinioni publik francez pa fytyrat si në varrim të ministrave, duke filluar nga i pari prej tyre, Kryeministri Gabriel Attal.

Dukej jo vetëm që Emanuel Makron i vinte para faktit të kryer, por dhe se ai dëshironte po ashtu që fotoja e asaj skenë ministrash të traumatizuar të shihej publikisht nga e gjithë Franca.

“Nuk e kuptoj pse e bëri këtë,” thotë një vizitor i rregullt i Elizesë.

Por qendra e informacionit e Elizesë justifikohet: “ishte një fotografi me vlerë edhe për momentin për të treguar se ishte një vendim shumë i veshtirë për Presidentin, ashtu dhe për më vonë për Historinë”.

Por vetë kjo zyrë e komunikimit të Elizesë dihet që as nuk u konsultua për botimin e fotove të Makronit me ministrat gjatë momentit të shpalljes së shperndarjes së Parlamentit. Te kampi i makronistëve inati është edhe më i madh në këtë moment kundra këshilltarëve të Makornit në Elize, ose ata “të çmendurit që kujtojnë se dinë gjithshka”.

Janë këta këshilltarë në origjinë të vendimit që morri Presidenti, thonë zëra tek të zgjedhurit lokalë të partisë së Makronit.Këta shprehen se janë më të shqetësuar se kurrë kur konstatojnë sesa i shkëputur me terrenin është pallati i Elizesë me këshilltarët e tij brënda.

Kur kryetari i partisë kryesore të së djathtës franceze, Eric Cioti shpalli aleancë surprizë për zgjedhjet e parakohshme legjislative me partinë e Le Pen-it dhe jo me atë të Makronit, vetë ky i fundit shprehu në një bisedë private befasimin e tij se si një gjest i tillë nuk u pasua në opinion me më shumë përkrahje për partinë makroniste në pushtet.

Presidenti tregon me këtë habi se është naiv.

Makron është i shkeputur nga realiteti, dhe nuk do që ta pranojë sesa të shumtë janë francezët që nuk e duan më atë dhe partinë e tij.

Prandaj nuk pati shokim në opinion kur shefi i partisë së djathtë shpalli aleancë me ekstremin e djathtë të Le Penit dhe jo me qëndrën e Makronit.

Kjo llogari e bërë keq nga Makron mjafton për të konfirmuar se vendimi për shpërndarje të parlamentit u mor kuturu pa analizuar paraprakisht pasojat.

Biles në rrethin e presidentit asnjë celulë nuk u ngrit që të paktën të analizonte hipotezën fare të mundshme të fitores së ekstremeve në këto zgjedhje të parakohshme dhe për të studjuar implikimet ligjore të “bashkëjetesës” të kreut të shtetit me një kryeministër të ardhshëm kundërshtar politik sipas të gjitha gjasave.

Duhet thënë se në kabinetin e Makronit në Elize nuk ka më asnjë këshilltar institucional që prej largimit në fillim të vitit nga ky post i Erik Tier, i cili nuk është zëvendësuar kurrë. Kjo ka çuar në atë pikë që në kampin e Presidentit askush nuk e beson se Makron do të mund të rimarrë situatën në dorë pas zgjedhjeve që provokoi vetë Jeta politike në Francë nuk do të jetë më e njëjta.

Shumë nuk hezitojnë ta pranojnë këtë publikisht duke krijuar kështu një atmosferë që i ngjan “fundit të mbretërimit”. Vetë ministri i Ekonomisë Bruno Le Maire e tha ashpër në media se shpërndarja e parlamentit “është vepër e një njeriu të vetëm”.

“Ajo që shoh është se ky vendim ka krijuar shqetësim, moskuptim dhe ndonjëherë zemërim në vendin tonë”, shtoi ministri i Ekonomisë, i cili vetë tani shikon kah ambicjeve të veta personale drejt së ardhmes. Edhe ish-ministri Klement Bon shumë i afërt me Makron u distancua duke lënë të kuptohet se edhe po të rizgjidhet deputetet ai do ta braktisë grupin e partisë së Makronit.

“Jam i lirë”, thotë ish- këshilltar i Emanuel Makron që preferon të theksojë se ka tani më shumë “gjëra të përbashkëta me ekologjistët apo socialistët”.

Nëpër kabinetet ministrore ka filluar shpërndarja e CV-ve për punë të re

Loja personale për të ardhmen ka filluar në radhët e Makronit, dhe pakkush e sheh këtë të ardhme me Makronin.

Biles shumë nga ata që po bëjnë fushatë në emër të partisë së Makronit “Rilindja”, distancohen enkas nga figura e presidentit që mund t’u bëjë të humbasin vota. Vetë kryeministri Gabriel Attal në fushatë aktualisht, kur një kalimtar i tha: “Thuajini presidentit të mbyllë gojën!“, ai iu përgjigj thatë: “Votohet për kryeministrin…”. Më kot mund të kërkosh foton e Emanuel Makron në afishet e kandidatëve për president në kampin e tij.

Edhe “të rinjtë me Makron”, që ishin idhtarë fanatikë të presidentit, preferojnë tani të vendosin në posterin e tyre kryeministrin Gabriel Attal. “Presidenti ka humbur jashtëzakonisht pikë, Gabrieli është bërë tani shtylla e mazhorancës”, gjykon një deputet i mazhorancës, Richard Ramos.

Elizeja duket se e ka kuptuar. Fillimisht ishin parashikuar tre ndërhyrje në javë të Emanuel Makron në fushatë siç ua pat njoftuar ai vetë ministrave në mbrëmjen e shpëndarjes së parlamentit.

Por tani “Presidenti do të qëndrojë në distancën e duhur,” thonë të kujdesshëm këshilltarët rreth tij. “Në këtë atmosferë të dëshpëruar, një numër makronistësh kanë filluar të kërkojnë një punë të re. Në vend të afisheve për fushatë, “këshilltarët shpërndajnë CV e tyre“, thotë njëri prej tyre.

“Unë do të kërkoj punë në një kompani të madhe,” thotë një këshilltar i lartë në një kabinet ministri, i cili befas po interesohet sesa dëmshpërblim do të marrë kur të jetë i papunë pas pak javësh.

Edhe brenda rrethit të ngushtë të Kryeministrit Gabriel Attal disa kanë filluar të interesohen për punë tek firmat e mëdha duke kontaktuar biznesmenët e mëdhenj francez. Kryetari i “Të Rinjtë me Makron” Ambruaz Mezhan shumë i investuar në politikë, po heziton po ashtu të vazhdojë në politikë pas fushatës.

Po e njëjta gjë edhe me kuadrot në selinë e partisë së Makron “Rilindja”. Përveç kësaj, smira po i përçan trupat e Makronit. Atyre nuk iu pëlqeu aspak kur panë me neveri sesi kryetarit të partisë, Stefan Sezhurne iu dha zona elektorale më e lehtë për të fituar, departamenti 92 ngjitur me Parisin , një nga tokat e fundit jo armiqësore ndaj makronisë.

Po ashtu dhe një nga këshilltarët e tij, Vincent Kor, është “parashutuar” si kandidat për deputet në një zonë tjetër të lehtë për të fituar për mazhorancën, tek zona e diasporës së francezëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën Veriore.

Një ministër kujton udhëzimin e dhënë nga Emanuel Makron që çdo ministër të ketë guximin të shpallet kandidat për deputet. Veçse askush nuk do të rrezikojë të hyjë në fushatë përveç Agnes Pannier-Runacher, zv/Ministre e Bujqësisë. Pjesa tjetër e ministrave “ose nuk hedhin kandidaturë për deputet ose e bëjnë këtë tek zona e lehtë 92”, komenton me ironi një ministër.

400 000 prokura vote

Duhet thënë se “situata ka ndryshuar tërësisht në terren”, vëren një tjetër ministër. Shefi i deputetëve të një nga partive në pushtet “Horizontet”, Loren Markanzheli, nuk e fsheh se është “shumë pesimist”.

Në qytetin e tij korsikan, Axhaksio, lista e partisë së Le Pen-it fitoi 45% të votave ne zgjedhjet europiane të 9 qershorit.

Kjo që Makron po bën është një referendum safi”, thotë ai. “Presidenti ka një mosmarrëveshje me një pjesë të Parlamentit dhe i fton francezët ta zgjidhin. Por nuk do të ketë surpriza. Dy aleancat e krijuara nga ekstremet do të dërrmojnë gjithçka dhe nuk do të lënë vend që të zgjedhë arsyeja siç e shpreson Makron”, shpreh shqetësimin e tij Kristof Zhereti, ish-deputet i mazhorancës.

Si përgjigje, keshilltarët e Élizesë po shpërndajnë argumenta që synojnë të qetësojnë opinionin dhe militantët. Elizeja kërkon që të vihet theksi tek fakti se do të ketë pjesëmarrje të gjerë në këto zgjedhje dhe se kjo është në favor të votës kundra ekstremeve.

Më shumë se 400 mijë prokurime për të votuar në emër të personave që s’do jenë të disponueshëm të votojnë janë bërë në Francë brënda pak ditësh, sipas Ministrisë së Brendshme.

“Ky është vetëm fillimi. Konsullatat po ashtu kanë regjistruar shumë kërkesa për përditësime të të dhënave të francezëve që jetojnë jashtë të cilët votojë në mënyrë elektronike”, gjë që është e mundur për emigrantët, vëren ministri i Industrisë Roland Leskur, i cili është po ashtu deputet i francezëve me banim në Amerikën e Veriut.

“Do të kemi pjesëmarrje po aq të lartë sa në zgjedhjet presidenciale”, parashikon një nga kolegët e tij, pa qenë megjithatë e sigurt se votat e kësaj pjesëmarrje të lartë në këto zgjedhje të parakohshme legjislative do të shkojnë apo jo në favor të kampit të Makronit…

Ndërkohë që trupat e partisë së presidentit pyesin veten ç’po ndodh, përtypin inatin për këto zgjedhje të befasishme dhe përpiqen të shpëtojnë mandatin ose karrierën e tyre, Emanuel Makron shpalos në mënyrë të paqartë axhendën e tij. Këtë të martë, ai shkon për ceremonira në kujtim të rezistentëve francezë të Luftës së Dytë botërore.

Të premten, Pallati i Elizesë do të hapë dyert e tij si çdo vit për Festën e Muzikës. Nuk e dimë nëse këngëtari legjendar Gilbert Montagné, një nga artistët e ftuar, do të performojë te Makroni këngën “On va s’aimer” (“Do dashurohemi”) apo atë tjetrën “J’ai le blues de toi” (“I trishtuar nga ty”)…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb