KPA ka marrë vendim këtë të enjte për prokuroren Elina Kombi, duke lënë në fuqi vendimin e mëhershëm të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Prokurorja e Tiranës, Elina Kombi u shkarkua nga detyra më 3 shkurt pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK arriti në përfundimin se ajo nuk kishte provuar me dokumentacion ligjor një pjesë të burimeve financiare të deklaruara, duke çmuar se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përfundua hetimi administrativ.

Veç balancave negative për krijimin e disa pasurive dhe likujditeteve, Komisioni konstaton se subjekti dhe bashkëshorti zotërojnë një banesë me tre kate që e reklamojnë në internet si bujtinë ku ushtrohet aktivitet hotelerie dhe ngre dyshime se nuk është regjistruar në QKB, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 16/2022, datë 17.03.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Elina Kombi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 507, datë 03.02.2022.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 507, datë 03.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Elina Kombi.

– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, më datë 11.09.2024.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: