TIRANË

Rudina Hajdari e cilësoi të turpshme faktin që Presidenti i Republikës Ilir Meta ka takuar nënkryetarin e LSI-së Petrit Vasili. Në një postim në “Twitter”, Hajdari shkroi sot, ditë e cila është heshtje zgjedhore se: ” Presidenti jonë takohet me nënkryetarin e LSI-së dhe ish nënpunësin e tij se nuk takon dot gruan e tij si kryetare e LSI-së, ndërkohë nuk ka bërë asnjë tentativë për tu takuar me asnjë deputet të opozitës brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe pretendon se është i paanshëm”.

Për këtë ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i cili shprehet se është i zhgënjyer me deputeten e Kuvendit, Rudina Hajdarin, pasi sipas tij, deputetja nuk po respekton atë që ai e quan si “heshtje zgjedhore”.

“I zhgënjyer shumë që Rudina nuk po e respekton ‘heshtjen zgjedhore’ të partisë së saj të re që shkon nesër në votime. Megjithatë e mirëkuptojmë për shpërdorimin që i bën mbiemrit Hajdari, të paktën derisa t’i kalojë mami vettingun”, shkruan ai.

Tedi Fb
Tedi Fb

Deputetja Hajdari ka marrë përgjigje edhe nga nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.
Ai shkruan se Hajdari ka reaguar dy ditë me vonesë, ndërsa thotë se përderisa kryetari i saj, duke iu referuar Edi Ramës refuzoi takimin me Presidentin, ç’do bisedonte ajo.

“Kjo Rudina paska shume informacion sekret.
Me siguri nga ‘Avokati i Fbi’ në Tiranë.
Po pse reagoi me dy ditë vonesë për një takim publik?
Plus që kur kryetari i Partisë së saj refuzoi takimin me Presidentin po kjo e shkreta çdo të bisedonte me të?
Shyqyr që ia kishin shkruar pa gabime këtë reagimin, se po ta recitonte do na gajaste së qeshuri siç bën çdo të enjte në ‘Landfilldin’ më të ri të Shqipërisë.
Megjithatë e uroj që nesër të shkojë ballëlartë, duarplot… dhe me Fitorje”, shkruan Vasili, duke përdorur termin ‘fitorje’ nga komunizmi.

Vasili Fb
Vasili Fb

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb