Ka hyrë në ditën e tretë greva e urisë së naftëtarëve të Ballshit, ndërkohë që ende nuk ka asnjë reagim zyrtar. Teksa në grevë kanë qenë 10 punonjës, një prej tyre është detyruar që të lërë protestën, pasi ka pasur rëndim të shëndetit, për shkak se vuan nga diabeti.
Gazetari Ervis Kuçi raporton për ‘BalkanWeb’ se ai është zëvendësuar nga një tjetër naftëtarë. Po ashtu, në mbështetje të protestës së tyre i janë bashkuar dhe punonjës të Poçemit, të cilët pretendojnë se janë gënjyer nga qeveria në lidhje me pagat e tyre.
“Rezistenca do të vazhdojë shprehen ata. Nuk tërhiqemi”, shprehen naftëtarët grevistë.
Ndërkohë, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, tha se deri më tani askush nuk ka reaguar, ndërsa pronari i kësaj rafinerie është zhdukur. “Deri tani nuk ka asnjë përgjigje. Ne duam që të jepet një përgjigje, qoftë dhe negative. Por thanë deri dje se është privati. Ne na ka humbur pronari. Shteti duhet të gjejë pronarin. Ne ndërhymë për pagën e luftës, pasi nuk aplikonte pronari. Me anë të një VKM që nxori kryeministri, u bë e mundur që të na kalohej për 900 familje naftëtarësh një pagesë prej 400 mijë lekësh si pagë lufte. Kjo është pasuri kombëtare, shteti duhet të ndërhyjë!”, tha Dautaj.
Po ashtu Kuçi raporton se naftëtarët kanë pasur luhatje në shëndetin e tyre, pasi vuajnë dhe nga sëmundje bashkëshoqëruese të ndryshme. Disa prej tyre kanë pasur dhimbje koke dhe marrje mendësh. Jashtë qendrës shëndetësore, ku po mbahet edhe greva, qëndrojnë naftëtarë, burra dhe gra, të cilat mbështesin kauzën në fjalë.
(BalkanWeb)